Celibashi i KQZ nuk ngopet, kërkon 265 milionë lekë shtesë
Komisioni Qendror i Zgjedhjeve kërkon një financim shtesë prej 265.4 milionë lekësh për të përballuar nevojat e vitit 2027, kur Shqipëria do të zhvillojë zgjedhjet vendore. Kreu i institucionit, Ilirjan Celibashi, i është drejtuar Kuvendit me një kërkesë për ndërhyrje në projektbuxhet, duke paralajmëruar se fondet e parashikuara aktualisht nuk mjaftojnë për përgatitjen e procesit zgjedhor.
Në shkresën drejtuar Fatmir Xhafajt, kryetar i Komisionit parlamentar për Nismat Qytetare, Bashkëpunimin dhe Mbikëqyrjen Institucionale, Celibashi shpjegon se KQZ kishte kërkuar 364.7 milionë lekë mbi tavanin e Programit Buxhetor Afatmesëm. Megjithatë, në projektbuxhet janë përfshirë vetëm 99.3 milionë lekë.
Për rrjedhojë, institucioni pretendon se ka një mungesë financimi prej 265,467,232 lekësh, shumë që kërkon të sigurohet gjatë shqyrtimit të buxhetit për vitin e ardhshëm.
Ku do të shkojnë 265 milionë lekët?
Pjesa më e madhe e shumës së kërkuar lidhet me ndërtimin e magazinës për materialet zgjedhore dhe mbikëqyrjen e projektit. Për këtë qëllim nevojiten 180 milionë lekë.
Ndërkohë, 51.7 milionë lekë janë parashikuar për mirëmbajtjen e sistemeve informatike, ndërsa 33.7 milionë lekë të tjera kërkohen për pagesën e qirasë së magazinave në Vaqarr.
Sipas KQZ-së, mungesa e këtyre fondeve mund të ndikojë drejtpërdrejt në kapacitetet për ruajtjen e materialeve dhe në gatishmërinë logjistike për zgjedhjet vendore.
“Mosmbulimi i tyre mund të kufizojë kapacitetet magazinuese dhe gatishmërinë logjistike për procesin zgjedhor të vitit 2027”, thuhet në dokumentin e dërguar Kuvendit.
Shqetësime ngrihen edhe për sistemet informatike që do të përdoren gjatë procesit. Sipas institucionit, pamjaftueshmëria e buxhetit mund të shtyjë mirëmbajtjen dhe testimin e tyre, duke shtuar rrezikun e ndërprerjeve teknike dhe problemeve të sigurisë.
Edhe platforma e raportimit financiar të partive mbetet pa financim
Një tjetër problem i evidentuar nga Celibashi lidhet me Platformën Elektronike të Raportimit Financiar (PERF), e cila ende nuk është funksionale për dorëzimin e raporteve financiare të partive politike.
Për përshtatjen dhe përmirësimin e saj, KQZ ka kërkuar rreth 20 milionë lekë mbështetje nga Zyra e Këshillit të Evropës në Tiranë, por deri më tani nuk ka marrë konfirmim për financimin.
Institucioni kërkon që platforma të përshtatet me kërkesat ligjore dhe funksionale, të standardizohen kategoritë e raportimit, të kryhet validimi i të dhënave dhe të mundësohet publikimi i raporteve në formate të hapura.
Nëse mbështetja nga donatori nuk sigurohet, Celibashi kërkon që shuma të mbulohet nga buxheti i shtetit, në mënyrë që sistemi të vihet në funksion.
Trajnime, informim i votuesve dhe akses për personat me aftësi të kufizuara
Në dokumentin e paraqitur në Kuvend, KQZ rendit edhe prioritetet për organizimin e zgjedhjeve vendore të vitit 2027. Mes tyre janë trajnimi i administratës zgjedhore, garantimi i sigurisë së sistemeve dhe pajisjeve, informimi i qytetarëve dhe përmirësimi i aksesueshmërisë së qendrave të votimit.
Programi për edukimin dhe informimin e zgjedhësve është ende në fazën e hartimit, ndërsa fushatat ndërgjegjësuese dhe matja e nivelit të njohurive të votuesve nuk kanë nisur.
Vëmendje e veçantë i kushtohet edhe personave me aftësi të kufizuara. KQZ parashikon verifikimin e kushteve në qendrat e votimit, përgatitjen e materialeve në të paktën tri formate të aksesueshme dhe trajnimin për votimin e asistuar. Megjithatë, institucioni thekson se financimi i këtyre masave është përgjegjësi e njësive të qeverisjes vendore.
Paralelisht, KQZ do të vijojë punën për zbatimin e rekomandimeve të OSBE/ODIHR-it dhe Komisionit të Venecias, si dhe përgatitjen e analizave e propozimeve teknike në kuadër të reformës zgjedhore.
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



