“Çështja Aruba po ulëret”, Noka akuza të forta mazhorancës
Deputeti demokrat Flamur Noka ngriti sot akuza të rënda nga foltorja e Parlamentit, duke iu referuar raportit të DASH për investimet e huaja dhe skandalin e “Arubës”. Ai u shpreh se sipas këtij raporti, anëtarët e mazhorancës janë pjesë e karteleve kriminale dhe përfaqësues të tyre.
Noka e quajti Kuvendin “parlament i lloqeve” dhe akuzoi qeverinë se ka sjellë kartele kriminale dhe narkotrafik në institucionet shtetërore. Ai tha se DASH konfirmon atë që opozita ka thënë prej kohësh: mazhoranca është e lidhur me korrupsionin dhe krimin.
“Aruba është ajo që po ulëret aktualisht si çështje. Ky është fytyra e mazhorancës,” deklaroi Noka, duke shtuar se raporti i DASH evidenton konkurencën e padrejtë, pastrimin e parave dhe largimin e investitorëve si pasojë e veprimeve të qeverisë.
Ai akuzoi dy ministra të kabinetit qeveritar si “delegatët e narkosit” në samitin e Arubës, ku sipas tij janë zhvilluar biseda dhe mesazhe për pastrim parash dhe aktivitete të tjera kriminale.
Në fund, Noka theksoi se çështja “Aruba” po ngrihet gjithandej dhe kërkoi përgjegjësi konkrete nga mazhoranca për akuzat e rënda që rëndojnë mbi ta.
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



