Çështja e konsullatës serbe “tërbon” Koçekun: Çfarë kërkon në Shkodër?
Dyshime të forta për prapaskenat
Ish-deputetja e Partisë Socialiste, Marjana Koçeku, ka reaguar ashpër ndaj raportimeve për një marrëveshje të mundshme mes Shqipërisë dhe Serbisë për hapjen e një konsullate serbe në Shkodër. Në një deklaratë publike, ajo ngre pikëpyetje serioze mbi arsyet dhe pasojat e një vendimi të tillë, duke e cilësuar si të pajustifikuar dhe me implikime të qarta gjeopolitike.
Sipas Koçekut, informacionet e publikuara nga mediat serbe për negociata mes ministrit të Jashtëm të Shqipërisë, Ferit Hoxha, dhe homologut serb, Marko Gjuriq, janë shqetësuese dhe kërkojnë transparencë të menjëhershme nga institucionet shqiptare.
Ajo vë në dyshim logjikën e hapjes së një misioni konsullor serb në Shkodër, duke theksuar se nuk ekziston asnjë bazë reale demografike apo ekonomike për një hap të tillë. Duke iu referuar të dhënave zyrtare, Koçeku nënvizon se numri i qytetarëve që i përkasin komunitetit serb në këtë zonë është minimal, çka e bën të pakuptimtë nevojën për një konsullatë.
Në analizën e saj, ajo sjell në vëmendje edhe standardet ndërkombëtare, duke theksuar se misionet konsullore zakonisht hapen për t’i shërbyer një komuniteti të konsiderueshëm ose për të lehtësuar marrëdhënie të rëndësishme ekonomike. Në këtë kontekst, sipas saj, iniciativa nuk qëndron mbi baza reale, por ngre dyshime për qëllime strategjike nga ana e Serbisë.
Koçeku i kërkon publikisht ministrit të Jashtëm shqiptar të japë sqarime të menjëhershme mbi këtë çështje, duke ngritur pyetje të drejtpërdrejta mbi interesat që mund të fshihen pas një vendimi të tillë dhe ndikimin që mund të ketë në raportet rajonale.
Më tej, ajo kritikon qëndrimin e institucioneve shqiptare ndaj retorikës së vazhdueshme të Beogradit në raport me Kosovën, duke e cilësuar reagimin zyrtar si të vakët. Sipas saj, një politikë më e vendosur është e domosdoshme për të mbrojtur interesat kombëtare dhe për të ruajtur kursin euroatlantik të vendit.
Në përfundim, ish-deputetja thekson se një konsullatë serbe në Shkodër nuk do t’i shërbente interesave të qytetarëve shqiptarë, por do të forconte ndikimin e Serbisë në rajon, duke ngritur pikëpyetje të mëdha mbi drejtimin e politikës së jashtme të Shqipërisë.
Deri në këto momente, Ministria e Jashtme e Shqipërisë nuk ka dhënë një reagim zyrtar lidhur me këto pretendime, ndërsa debati publik pritet të intensifikohet.
Reagimi i plotë:
Mediat serbe këto ditë kanë fillu me përhapë nji lajm që shpresoj nuk asht i vërtetë. Ministri i Jashtëm i Shqipnisë, z. Ferit Hoxha, dhe homologu i tij serb, z. Marko Gjuriq, paskan hy në bisedime për hapjen e nji konsullate serbe në Shkodër, mbas kërkesës dhe nevojës së kahershme për hapjen e konsullatës shqiptare në Bujanoc, ku gjysma e popullsisë atje asht shqiptare.
Këtë e ka konfirmu vetë ministri serb për mediat, tue deklaru se, në parim, palët kanë ra dakord për këtë projekt diplomatik. Ndërkohë, në njoftimin zyrtar të Ambasadës Shqiptare në Beograd përmendet vetëm hapja e konsullatës shqiptare në Bujanoc, ndërsa nuk ka asnji referencë për hapjen e konsullatës serbe në Shkodër.
Që të hapet konsullata shqiptare në Bujanoc ka shumë arsye dhe asht e nevojshme, por hapja e nji konsullate serbe në Shkodër asht e çuditshme.
Çfarë kërkon konsullata serbe pikërisht në Shkodër? Kujt i shërben ajo konsullatë? Këtyne dhe shumë pyetjeve të tjera ministri jonë i jashtëm z. Hoxha duhet me iu dhanë përgjigje sa ma parë, nëse ky lajm asht i vërtetë.
Sipas Konventës së Vjenës për Marrëdhëniet Konsullore dhe praktikës ndërkombëtare, hapja e konsullatave lidhet zakonisht me ekzistencën e nji komuniteti të konsiderueshëm të shtetasve të shtetit dërgues, me interesa të rëndësishme ekonomike, tregtare apo kulturore, si edhe me nevojën për ofrimin e shërbimeve konsullore, për shkak të fluksit të udhëtimeve apo shkëmbimeve. Në rastin e Shkodrës, të paktën në të dhanat publike, këto elemente nuk rezultojnë me qenë të pranishme në përmasa që me e justifiku hapjen e nji konsullate serbe.
Në censusin e vitit 2023, në tanë qarkun e Shkodrës rezultojnë vetëm 54 persona të vetëdeklaruem si serbë, ndërsa 106 janë të deklaruem si malazezë. Po ashtu, 90 janë të deklaruem boshnjakë, 20 maqedonas dhe 26 bullgarë. Në total, në tanë qarkun e Shkodres janë 296 persona të komuniteteve sllavishtfolëse, ma pak se 0.2% e popullsisë, prej të cilëve vetëm 54 janë serbë.
Kjo don me thanë se hapja e konsullatës serbe në Shkodër nuk bazohet aspak në nevoja reale të komunitetit. Përkundrazi, e ban krejt të arsyeshëm dyshimin se kena të bajmë me nji lëvizje me interes gjeopolitik nga ana e Serbisë.
Megjithatë, para se me ndërmarrë hapa të tillë, Serbia ka ende çështje të rëndësishme të pazgjidhuna me Kosovën, sidomos në dritën e deklaratës së fundit të ministres serbe Paunoviq kundër Kosovës, e cila ngjalli reagime dhe shqetësim. Do kishte qenë e udhës që edhe autoritetet shqiptare të kishin mbajtë nji qëndrim ma të fortë. Por kjo nuk ka ndodhë dhe më bajnë jashtë mase përshtypje politikat e buta kundrejt Serbisë.
Përvoja historike na ka mësu se çdo zhvillim në marrëdhëniet me Serbinë duhet me u trajtu me kujdes dhe me vlerësim të plotë të pasojave. Pikërisht për këtë arsye, çdo ndërmarrje e tillë diplomatike meriton transparencë, debat publik dhe nji analizë të kujdesshme në funksion të interesit kombëtar.
Hapja e nji konsullate serbe në Shkodër nuk kishte me u shërby aspak interesave të shqiptarëve, por vetëm interesave të Serbisë, tue ia forcu edhe ma tej pozitat në rajon. Kjo nuk asht në përputhje as me interesat tona kombëtare, as me aspiratat euroatlantike të Shqipnisë.
Serbia nuk mund të konsiderohet nji partnere e afërt politike përderisa vazhdon me mbajtë qëndrime dhe me ndjekë politika që shpesh bien ndesh me interesat e shqiptarëve dhe të Kosovës. Prandaj, Shqipnia duhet me e trajtu me kujdes çdo hap që mundet me ndiku në balancat politike të rajonit, tue u udhëheqë gjithmonë nga interesi kombëtar, mbështetja për Kosovën dhe aspiratat tona identitare për të ardhmen.
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



