Kredia prej 302 mln $ nga SHBA, PD bojkoton seancën
Partia Demokratike ka njoftuar se nuk do të marrë pjesë në seancën plenare të pasdites, ku pritet të hidhet në votim marrëveshja e huasë prej 302 milionë dollarësh mes Shqipërisë dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës për financimin e pajisjeve ushtarake.
Qëndrimi i opozitës vjen pas përplasjes me shumicën parlamentare mbi procedurën e ndjekur për shqyrtimin e dokumentit. Demokratët theksojnë se nuk janë kundër përmbajtjes së marrëveshjes, por kundërshtojnë mënyrën e përshpejtuar të miratimit, pa u dhënë deputetëve kohën dhe aksesin e nevojshëm për t’u njohur plotësisht me të.
Kreu i grupit parlamentar, Gazment Bardhi, ka bërë të qartë se shqetësimi kryesor lidhet me standardin e transparencës dhe jo me partneritetin me SHBA. Sipas tij, praktika që kufizon aksesin e deputetëve në dokumentacion, duke lejuar vetëm konsultim të kontrolluar brenda ambienteve të Kuvendit, cenon rolin kushtetues të përfaqësuesve të zgjedhur.
Në reagimin zyrtar, opozita argumenton se çdo marrëveshje ndërkombëtare, edhe kur përmban elementë të klasifikuar, duhet të shqyrtohet në mënyrë të plotë nga deputetët përpara se të hidhet në votim. Sipas tyre, ekzistojnë mekanizma ligjorë që garantojnë ruajtjen e konfidencialitetit pa kufizuar të drejtën për informim.
Demokratët akuzojnë shumicën se po kërkon miratimin e një dokumenti të panjohur për deputetët, duke shmangur standardet e transparencës parlamentare. Ata nënvizojnë se një proces i tillë bie ndesh me parimet kushtetuese dhe praktikën demokratike.
Megjithatë, Partia Demokratike rithekson mbështetjen për forcimin e kapaciteteve mbrojtëse të vendit dhe bashkëpunimin strategjik me Shtetet e Bashkuara, duke e konsideruar marrëveshjen të rëndësishme në kuadër të angazhimeve në NATO.
Në përfundim, opozita deklaron se do të refuzojë pjesëmarrjen në seancë derisa deputetëve t’u vihet në dispozicion dokumentacioni i plotë, duke garantuar një vendimmarrje të informuar dhe në përputhje me Kushtetutën.
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



