Çfarë i ndodhi? Pamja e re e Macron po bën namin e rrjetit
Presidenti francez Emmanuel Macron u shfaq papritur të premten në Pallatin Elize, gjatë një takimi të rëndësishëm mbi të ardhmen institucionale të Kaledonisë së Re, por ajo që tërhoqi menjëherë vëmendjen nuk ishte axhenda politike. Kreu i shtetit u paraqit me syze dielli blu, një detaj i pazakontë për një takim zyrtar të kësaj natyre.
Në ditët që i paraprinë kësaj daljeje, rrjetet sociale dhe mediat kishin nisur të aludonin për gjendjen shëndetësore të Macron, pasi njëri nga sytë e tij dukej dukshëm i skuqur. Detaji u vu re veçanërisht gjatë një fjalimi që presidenti mbajti përpara personelit ushtarak francez në bazën ajrore të Istres, duke nxitur komente dhe spekulime të shumta online.
Dalja me syze dielli e Macron u bë shpejt virale në internet, me përdorues që ironizuan situatën dhe e kthyen atë në një temë trendi.
Fillimisht, presidenti nuk dha asnjë shpjegim publik për pamjen e tij, por më vonë Pallati Elize reagoi për të sqaruar situatën. Sipas njoftimit zyrtar, skuqja e syrit ishte pasojë e këputjes së një ene të vogël gjaku, një problem shëndetësor i padëmshëm dhe pa pasoja. Ky version u konfirmua edhe nga gazeta franceze Le Parisien, duke shuar zërat për ndonjë shqetësim serioz.

Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



