E enjte, 15 tetor 2026 DENONCO ANONIM Denonco: +355 69 20 95 843
PUBLIK
Dalin pamje të reja rreth zhdukjes misterioze të Eglant Koçit
Lajme

Dalin pamje të reja rreth zhdukjes misterioze të Eglant Koçit

Kamerat e sigurisë nxjerrin në pah lëvizjet e autorit të dyshuar

Pamje të reja të siguruara nga kamerat e sigurisë kanë sjellë detaje të rëndësishme në lidhje me zhdukjen e 34-vjeçarit Eglant Koçi, i cili rezulton i humbur që prej datës 6 qershor në zonën e 5 Majit në Tiranë.

Një ditë më parë u publikua edhe fotografia e fundit e Koçit, e regjistruar nga kamerat e sigurisë, ndërsa hetuesit e Krimeve të Rënda në Policinë e Tiranës po vijojnë punën për zbardhjen e plotë të ngjarjes.

Sipas burimeve hetimore, një nga pistat kryesore që po verifikohet lidhet me një sasi parash digjitale që 34-vjeçari dyshohet se mbante në telefonin e tij celular.

Në qendër të hetimeve ndodhet Armand Shakaj, 41 vjeç, i identifikuar nga policia si autori i dyshuar i rrëmbimit të Koçit. Hetuesit po punojnë për të përcaktuar nëse ai ka vepruar i vetëm apo me bashkëpunëtorë të tjerë.

Veprimet hetimore kanë çuar në gjetjen e motorit të 34-vjeçarit, si dhe në identifikimin e ambientit ku ai dyshohet se është futur për herë të fundit. Sipas provave të administruara deri më tani, nga ai ambient është parë të dalë vetëm Armand Shakaj, ndërsa ekzistojnë dyshime se më pas Koçi mund të jetë transportuar me automjet.

Kontrolle të shumta janë zhvilluar si në ambientin ku dyshohet se 34-vjeçari është mbajtur peng, ashtu edhe në zona të tjera me interes për hetimin. Megjithatë, deri në këtë fazë nuk është bërë e mundur gjetja e tij.

Në kuadër të çështjes është arrestuar edhe Enea Zyferi, 25 vjeç, i cili akuzohet për veprën penale “Përkrahja e autorit të krimit”. Sipas hetimeve, ai dyshohet se ka ndihmuar Armand Shakajn pas ngjarjes.

Ndërkohë, autoritetet kanë gjetur dhe sekuestruar edhe automjetin që dyshohet se është përdorur për transportimin e Eglant Koçit. Mjeti është marrë në cilësinë e provës materiale, ndërsa hetimet vijojnë për të zbardhur plotësisht rrethanat e ngjarjes dhe për të përcaktuar fatin e 34-vjeçarit.

Më poshtë publikohen pamjet ku autori i dyshuar shihet duke larguar motorin e viktimës, si dhe momenti kur ai rikthehet sërish në këmbë në të njëjtën zonë.

Na ndiqni në YouTubeVideo, intervista dhe transmetime nga PUBLIK TV Abonohu

Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.

Denonco
DENONCO

Zëri yt bëhet lajm.

Bëhu pjesë aktive e Publik.al. Raporto çdo padrejtësi, korrupsion apo ngjarje, me foto dhe video. Identiteti yt mbrohet nga redaksia.