Çfarë zbuluan kamerat? Vrasja e Eglant Kocit, zbardhet pista e kriptove
Hetimet për vrasjen e Eglant Kocit në Tiranë po zhvillohen edhe në pistën e parave të lidhura me call center-at dhe kriptomonedhat. Në kuadër të verifikimeve, grupi hetimor ka marrë në pyetje edhe administratorin e një exchange-i në kryeqytet, ku viktima dyshohej se kryente konvertimin e kriptomonedhave.
Pas denoncimit për zhdukjen e të riut, familjari i tij i kishte treguar policisë se Eglanti përdorte një subjekt pranë Spitalit Ushtarak për të kryer transaksione me kriptomonedha.
Por dëshmia e administratorit Kërciku rezulton të ketë dhënë një tjetër element për hetuesit. Ai ka deklaruar se Eglant Koci nuk ishte paraqitur në subjekt për më shumë se një muaj për të kryer transferta.
Ky detaj është marrë në konsideratë nga grupi i hetimit, i cili po verifikon nëse motivi i krimit lidhet me aktivitetin financiar të viktimës dhe marrëdhëniet e tij me persona të përfshirë në tregtimin e kriptomonedhave.
Në fokusin e hetuesve është edhe Armand Shakaj, i dyshuar për vrasjen. Ai ishte marrë në pyetje në momentet kur ende nuk dihej fati i Kocit dhe kishte deklaruar se e kishte takuar të riun më 3 qershor.
Gjatë dëshmisë së tij, Shakaj e kishte paraqitur veten si mik të viktimës dhe kishte pretenduar se Eglanti ishte i shqetësuar për paratë e kriptomonedhave dhe aktivitetin e call center-ave.
Sipas versionit të dhënë prej tij, viktima i kishte treguar se njëri prej personave që kishte portofolin dixhital ishte arrestuar në Dubai, ndërsa një tjetër kishte humbur paratë duke luajtur bixhoz online.
Por më pas, lëvizjet e Shakajt dhe pamjet e kamerave të sigurisë janë bërë pjesë e rëndësishme e hetimit.
Kamerat kanë dokumentuar se më 4 qershor Eglant Koci, i cili udhëtonte me motor, shkoi në biznesin e shokut të tij. Rreth 40 minuta më vonë, një person i veshur me të zeza është larguar nga zona duke përdorur motorin e viktimës.
Një tjetër moment i rëndësishëm për hetuesit lidhet me mbrëmjen e 5 qershorit, rreth orës 23:30. Sipas pamjeve të administruara në dosje, Shakaj shihet duke nxjerrë nga ambientet e biznesit një qese të madhe, e cila, sipas dyshimeve të hetuesve, kishte formën e një trupi njeriu. Qesja është larguar më pas me automjet.
Pas disa ditësh kërkime, trupi i pajetë u gjet dhe ekzaminimi i ADN-së konfirmoi se viktima ishte Eglant Koci.
Në kuadër të hetimit është arrestuar dhe vijon të mbahet në burg edhe 25-vjeçari Ena Zyferi, student infermierie që punonte si kamarier. Ai dyshohet se ka ndihmuar autorin e krimit, përfshirë edhe përmes fikjes së kamerave të sigurisë.
Prokuroria ka marrë gjithashtu dëshmi nga persona të tjerë që mund të kenë pasur kontakt me të dyshuarin. Mes tyre janë edhe dy punonjës të një lavazhi, të cilëve Shakaj u kishte thënë në lidhje me një automjet Porsche se do të vinte ta merrte pasi të lahej.
Punonjësit kanë deklaruar se gjatë pastrimit vunë re një lëng të kuq në pjesën e tapetit, pas sediljes së shoferit, i cili në pamje të parë u ishte dukur si gjak.
Tashmë, hetuesit po bashkojnë dëshmitë, pamjet e kamerave dhe të dhënat që lidhen me kriptomonedhat, në përpjekje për të zbardhur motivin e vrasjes dhe rolin e personave të përfshirë në ngjarje.
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



