E enjte, 15 tetor 2026 DENONCO ANONIM Denonco: +355 69 20 95 843
PUBLIK
Dalin pamjet, si e rrethuan BKH dhe RENEA vilën e ‘Visit të Pojës’
Lajme

Dalin pamjet, si e rrethuan BKH dhe RENEA vilën e ‘Visit të Pojës’

Forcat Speciale RENEA dhe strukturat operacionale të Policisë së Shtetit janë angazhuar në një aksion të gjerë të zhvilluar në orët e para të mëngjesit në kuadër të hetimeve të Prokurorisë së Posaçme (SPAK) dhe Byrosë Kombëtare të Hetimit (BKH).

Krahas kontrolleve të kryera në banesat e disa zyrtarëve dhe ish-zyrtarëve të lartë, operacioni është shtrirë edhe në Durrës, konkretisht në zonën e Shkozetit, ku është rrethuar territori i familjes Troplini.

Në fokus të kontrolleve kanë qenë disa banesa dhe ambiente që lidhen me familjen Troplini. Forcat Speciale RENEA, së bashku me efektivë të strukturave operacionale të Durrësit dhe agjentë të BKH-së, kanë siguruar perimetrin dhe kanë ushtruar kontrolle në disa pika të zonës.

Pamjet nga terreni tregojnë praninë e një numri të konsiderueshëm automjetesh të Policisë së Shtetit dhe BKH-së, ndërsa kontrollet kanë nisur që në orët e para të ditës.

Zona e Shkozetit lidhet në kuadër të hetimeve me Elvis Doçin, i njohur si “Visi i Pojës”, i cili është shpallur në kërkim ndërkombëtar nga SPAK. Për shkak të natyrës së operacionit dhe nivelit të sigurisë së vendosur në territor, RENEA është angazhuar për garantimin e perimetrit gjatë kontrolleve.

Në disa prej rrugëve të zonës janë konstatuar kamera sigurie, ndërsa në hyrje të disa segmenteve janë vendosur edhe blloqe betoni me përmasa të përshtatura me kalimin e automjeteve. Këto elemente krijojnë pengesa fizike për lëvizjen e shpejtë të mjeteve nëpër rrugicat e lagjes.

Sipas të dhënave nga terreni, forcat e Policisë dhe agjentët e BKH-së kanë mbërritur në zonë që prej mbrëmjes së kaluar, ndërsa kontrollet janë intensifikuar në orët e para të mëngjesit, pas zbardhjes së ditës.

Në operacion janë parë të paktën tetë automjete, mes furgonëve dhe makinave të Policisë së Shtetit dhe BKH-së. Forcat speciale kanë qëndruar në terren gjatë kontrolleve të kryera në banesa dhe ambiente të ndryshme.

Aksioni në Shkozet është pjesë e një operacioni më të gjerë të SPAK dhe BKH-së, i cili gjatë ditës së sotme ka përfshirë edhe kontrolle në banesa të personave të tjerë të përfshirë në hetime.

Na ndiqni në YouTubeVideo, intervista dhe transmetime nga PUBLIK TV Abonohu

Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.

Denonco
DENONCO

Zëri yt bëhet lajm.

Bëhu pjesë aktive e Publik.al. Raporto çdo padrejtësi, korrupsion apo ngjarje, me foto dhe video. Identiteti yt mbrohet nga redaksia.