E martë, 20 tetor 2026 DENONCO ANONIM Denonco: +355 69 20 95 843
PUBLIK
Daniel Shima “fundos” Karçanajn: Orientonte tenderat te Ermal Beqiri
Lajme

Daniel Shima “fundos” Karçanajn: Orientonte tenderat te Ermal Beqiri

Dëshmia në SPAK

Ish-zëvendësdrejtori i AKSHI, Daniel Shima, ka dhënë dëshmi të detajuara para SPAK, duke zbuluar një skemë të dyshuar manipulimi të tenderave dhe punësimeve të paracaktuara brenda institucionit.

Sipas tij, procedurat e rekrutimit në AKSHI kryheshin vetëm formalisht, pasi emrat e fituesve vendoseshin paraprakisht nga ish-drejtoresha Mirlinda Karçanaj dhe biznesmeni Ermal Beqiri. Qëllimi, sipas Shimas, ishte punësimi i personave të lidhur me Beqirin për të ndikuar më pas në procedurat e prokurimit publik.

Në dëshminë e tij, Shima ka treguar se edhe tenderat ishin të orientuar që në fillim drejt fituesve të paracaktuar. Ai përmend raste konkrete ku kompanitë konkurruese merrnin pjesë vetëm formalisht, ndërsa fituesi dihej paraprakisht. Sipas tij, në disa procedura janë përfshirë kompani si “Fastech sh.p.k.”, “Soft & Solution” dhe “Horizon”, të cilat, sipas dyshimeve, kanë përfituar në mënyrë të përsëritur.

Shima ka theksuar se Mirlinda Karçanaj kishte koordinim të drejtpërdrejtë me Ermal Beqirin, duke orientuar fituesit e tenderave dhe duke krijuar gara fiktive për të justifikuar procedurat. Ai shton se Beqiri ishte i sigurt për fitoret në tendera edhe përpara zhvillimit të tyre, pasi merrte informacion paraprak.

Sipas dëshmisë, takimet mes Karçanajt dhe Beqirit zhvilloheshin në ambientet e AKSHI-t, ndërsa vendimet për prokurimet merreshin jashtë çdo standardi ligjor dhe transparent.

Daniel Shima konsiderohet një dëshmitar kyç për hetimin, për shkak të rolit që ka pasur në institucion. Ndërkohë, SPAK ka bërë të ditur se në fund të vitit 2025 ka zbuluar një grup të strukturuar kriminal brenda AKSHI-t, ku përfshihen edhe Ergys Agasi dhe Ermal Beqiri, të cilët janë shpallur në kërkim. Ndërsa ish-drejtoresha Karçanaj ndodhet aktualisht në arrest shtëpie.

Hetimet vijojnë për të dokumentuar plotësisht skemën dhe për të nxjerrë para përgjegjësisë të gjithë personat e përfshirë.

Na ndiqni në YouTubeVideo, intervista dhe transmetime nga PUBLIK TV Abonohu

Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.

Denonco
DENONCO

Zëri yt bëhet lajm.

Bëhu pjesë aktive e Publik.al. Raporto çdo padrejtësi, korrupsion apo ngjarje, me foto dhe video. Identiteti yt mbrohet nga redaksia.