Deklarata e fortë: Berisha e ka quajtur UÇK-në organizatë terroriste
Juristi Romeo Kara: Të dënohet për krime lufte
Avokati Romeo Kara ka shprehur shqetësim të thellë mbi mënyrën se si po trajtohen ish-krerët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës nga Gjykata Speciale në Hagë, duke e cilësuar procesin si një shkelje të rëndë të drejtësisë ndërkombëtare.
Sipas Karës, lufta e UÇK-së ishte një mjet i fundit për mbijetesë, pas përjetimit të një gjenocidi të mirëfilltë ndaj shqiptarëve të Kosovës. Ai kritikoi ashpër legjitimitetin e gjykatës, duke thënë se ajo po tenton të barazojë viktimën me agresorin, duke baltosur vlerat e luftës çlirimtare.
“Kjo nuk është një gjykatë e Kosovës. Ajo është ngritur me synimin për të denigruar luftën, jo për të ndarë drejtësinë. Ata burra janë në burg pa asnjë bazë të fortë ligjore, ndërkohë që dëshmitarët janë pyetur. Mënyra se si po trajtohen është e padrejtë dhe tejkalon çdo sens të drejtësisë,” – u shpreh Kara.
Avokati shtoi se edhe figura të tjera politike duhet të përballen me drejtësinë për deklaratat e tyre ndaj UÇK-së, duke përmendur konkretisht Sali Berishën, për të cilin tha se “duhej të ishte në Hagë për krime lufte”.
“Berisha e ka quajtur UÇK-në grup terrorist. Ai nuk mund të përdoret sot si patericë politike. Nuk ka drejtësi selektive. Duhet të flasim për të gjitha padrejtësitë,” – theksoi ai.
Kara kritikoi edhe qëndrimin e kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, për të cilin tha se po e përdor situatën në Hagë për përfitim politik:
“Kurtit i leverdis që Hashim Thaçi të mbahet atje. Ai luan në një ‘fushë bosh’, ndërsa ish-krerët e UÇK-së përballen me procese të padrejta,” – u shpreh Kara.
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



