Deklarata e fortë e gazetarit: Prokuroria ka shkuar deri në Kryeministri!
“Ka hyrë në zemër të pushtetit”
Gazetari Osman Stafa ka analizuar zhvillimet e fundit politike, duke u ndalur veçanërisht te roli i SPAK dhe ndryshimi i qasjes së Partisë Demokratike ndaj institucionit të drejtësisë.
Sipas Stafës, në realitetin aktual politik është SPAK ai që po ndërmerr goditjet kryesore, duke përballur një pushtet të konsoliduar që, siç thekson vetë kryeministri, mbështetet nga 83 mandate parlamentare. Ai nënvizoi se çdo veprim i fortë i SPAK shoqërohet me reagime të menjëhershme politike.
“Kur SPAK kërkon arrestimin e Ballukut, Rama menjëherë përmend forcën e 83 mandateve. Kjo tregon qartë se SPAK po prek pushtetin real,” u shpreh Stafa.
Gazetari vlerësoi gjithashtu ndryshimin e qëndrimit të Partisë Demokratike ndaj SPAK, duke e konsideruar si një korrigjim të domosdoshëm. Ai theksoi se pas zgjedhjes së drejtuesit të ri të SPAK, kryetari i PD-së, Sali Berisha, është treguar më i kujdesshëm, ndërsa partia ka paguar kosto politike për qëndrimet e mëparshme kundër këtij institucioni.
“Prokuroria heton, gjykata vendos. Opozita tashmë është bindur se SPAK e ka seriozisht, sidomos pas rastit Balluku,” deklaroi Stafa, duke shtuar se brenda PD-së ka deputetë që realisht besojnë te SPAK, por që për shkak të vijës zyrtare të partisë janë shprehur ndryshe në publik.
Ai ngriti edhe një pyetje mbi standardet politike:
“Çfarë ndodh nëse nesër drejtuesi i ri i SPAK përfshihet në një dosje që prek një figurë të opozitës? A do të shpallet edhe ai armik?”
Në përfundim, Stafa theksoi në emisionin “Kjo Javë”, se SPAK ka ndërmarrë veprime të paprecedenta në historinë e vendit, duke hyrë drejtpërdrejt në institucionet më të larta të pushtetit.
“SPAK ka bërë diçka që nuk ka ndodhur kurrë më parë në Shqipëri: ka shkuar drejtpërdrejt në Kryeministri dhe ka hyrë në zemër të pushtetit,” përmbylli ai.
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



