E martë, 20 tetor 2026 DENONCO ANONIM Denonco: +355 69 20 95 843
PUBLIK
Deklarata e fortë: SPAK po heton 4-5 dosje ndaj Belinda Ballukut
Lajme

Deklarata e fortë: SPAK po heton 4-5 dosje ndaj Belinda Ballukut

Kreu i Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike, Gazment Bardhi, ka folur mbi hetimet që po zhvillohen nga SPAK ndaj zëvendëskryeministres Belinda Balluku, e cila prej javësh figuron si e pandehur në disa procedime penale.

Bardhi deklaroi se ka dijeni të drejtpërdrejtë për disa prej çështjeve në hetim, pasi, sipas tij, ai vetë ka depozituar kallëzime pranë Prokurorisë së Posaçme. “Balluku ka të paktën katër ose pesë çështje nën hetim. E di sepse jam kallëzues dhe kam marrë komunikime zyrtare nga prokuroria që ato janë aktive,” u shpreh ai.

Sipas Bardhit, problematika kryesore lidhet me mënyrën e zhvillimit të procedurave ekonomike që, sipas tij, kanë sjellë dëme të mëdha financiare për buxhetin e shtetit. Ai e cilësoi të papranueshme që, siç pretendohet, të relativizohen shkeljet duke zhvendosur vëmendjen te opozita:

“E keqja e këtij vendi është kur një zyrtar firmos një procedurë që prodhon 50 milionë euro dëm. Nuk mund t’u themi njerëzve se po vjedhin këta, por problemi është opozita,” u shpreh Bardhi.

Akuza për skemën e shitblerjes së energjisë

Një nga çështjet që po hetohet nga SPAK, sipas Bardhit, lidhet me tregun e energjisë elektrike dhe mënyrën si është kryer shitblerja jashtë bursës shqiptare. Ai pretendon se një urdhër i firmosur nga Balluku ka bllokuar tregtimin e energjisë përmes bursës, duke favorizuar disa kompani të caktuara.

“Flasim për rreth 180 milionë euro dëm brenda një viti. Janë 3–4 kompani që blejnë energji me çmim më të ulët dhe e rishesin më shtrenjtë, sepse shmangin bursën. Këto procedura nuk duhej të ndodhnin jashtë tregut transparent,” theksoi kreu i grupit parlamentar të PD-së në emisionin “Log”.

Akuzat për tenderin e parkut fotovoltaik në digën e Zadejës

Bardhi gjithashtu foli për një tjetër çështje që, sipas tij, është objekt hetimi nga SPAK dhe lidhet me një tender për ndërtimin e një parku fotovoltaik në digën e Zadejës.

Ai pretendon se çmimi i shërbimit është rritur artificialisht:

“Për të njëjtin projekt, të njëjtën fuqi dhe nga e njëjta kompani, privati e ka realizuar me 3 milionë euro, ndërsa ministria e Ballukut e ka paguar 8 milionë. Dallesa është 5 milionë euro. SPAK vetë ka zhvilluar një procedurë për panele fotovoltaike në tarracë, dhe çmimi referencë ishte i njëjtë me ofertën private,” u shpreh ai.

Bardhi argumentoi se projekti mund të kryhej me vlerë shumë më të ulët dhe se diferenca e kostos tregon qartë, sipas tij, elementë të favorizimit dhe abuzimit me fonde publike.

Na ndiqni në YouTubeVideo, intervista dhe transmetime nga PUBLIK TV Abonohu

Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.

Denonco
DENONCO

Zëri yt bëhet lajm.

Bëhu pjesë aktive e Publik.al. Raporto çdo padrejtësi, korrupsion apo ngjarje, me foto dhe video. Identiteti yt mbrohet nga redaksia.