Del fotoja e 48-vjeçarit që u kap me 3 armë zjarri gati për shitje
Është publikuar fotoja e 48-vjeçarit të vënë në pranga nga policia e Tiranës, i dyshuar për përfshirje në trafik armësh në kryeqytet.
I arrestuari është Ligor Mehmet, banues në Tiranë, i cili u ndalua gjatë operacionit të koduar “Barriera”, të zhvilluar nga Komisariati i Policisë Nr. 4.
Sipas të dhënave zyrtare, ai u kap në rrugën “Myslym Keta”, në zonën e Tufinës, ndërsa qarkullonte me automjetin e tij. Gjatë kontrollit të ushtruar në mjet, efektivët zbuluan dhe sekuestruan tre armë zjarri: dy pistoleta dhe një armë taktike luftarake.
Hetimet paraprake tregojnë se armët dyshohet të mbaheshin me qëllim shitjen në zonat e Freskut dhe Tufinës, duke furnizuar tregun e paligjshëm.
Në cilësinë e provës materiale, policia ka sekuestruar gjithashtu tre krehra me municion, automjetin e përdorur nga i dyshuari dhe telefonin e tij celular.
Burime nga hetimi bëjnë me dije se secila prej pistoletave dyshohet të kishte një vlerë rreth 1,500 euro, ndërsa arma taktike luftarake mund të shitej për rreth 8,000 euro në tregun e zi.
Operacioni u realizua pas informacioneve të siguruara në rrugë operative për një rast të posedimit të armëve me qëllim tregtimin e tyre. Policia konfirmon se ndërhyrja çoi në goditjen e një rasti konkret të këtij aktiviteti të paligjshëm.
Nën drejtimin e Prokurorisë së Tiranës, hetimet vijojnë për të identifikuar persona të tjerë të mundshëm të përfshirë në këtë skemë.
Materialet procedurale i janë referuar organit të akuzës për veprime të mëtejshme ligjore.

Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



