Nga “Revolucioni i Flamingove” te prangat, kush është artistja që furnizonte qytetarët
🇬🇧 Read in EnglishFatime Paja, e njohur në botën e artit si Fatma Paja, është arrestuar këtë të diel në Tiranë, në kuadër të operacionit policor “DISTRIBUTION OF ELEMENTS”. Ajo dyshohet se, në bashkëpunim me dy persona të tjerë, siguronte dhe shpërndante sende të kundërligjshme për protestuesit e 28 Nëntorit, me qëllim përdorimin e tyre në akte të dhunshme ndaj punonjësve të Policisë dhe institucioneve shtetërore.
Arrestimi i saj ka rikthyer në vëmendje angazhimin e Pajës në lëvizjen qytetare kundër projektit turistik në zonën e Nartës, ku ajo ishte pjesë e grupit të artistëve që krijuan figurat e flamingove. Këto simbole u përdorën gjatë protestave dhe marshimeve në Tiranë, duke i dhënë lëvizjes emrin “Revolucioni i Flamingove”.
Flamingoja u përzgjodh si simbol për të përfaqësuar Lagunën e Nartës, një zonë e mbrojtur natyrore dhe habitat i këtyre shpendëve, ku ishte parashikuar zhvillimi i një projekti turistik të kundërshtuar nga aktivistët.
Paja ishte ndër personat që merrnin pjesë në organizimin e marshimeve, duke përdorur megafonin për të përcjellë mesazhe si “Shqipëria nuk shitet!” dhe “Mos e prekni Nartën!”. Krahas protestave, ajo dhe artistë të tjerë organizonin aktivitete vizatimi dhe ngjyrosjeje për fëmijët.
Në një intervistë për agjencinë ndërkombëtare të lajmeve Associated Press, të dhënë më 20 qershor, Paja kishte shpjeguar se grupi i artistëve zgjodhi flamingon si simbol të kundërshtimit ndaj projektit në Nartë.
“E kam përdorur prej kohësh artin si një mjet për të shprehur padrejtësitë dhe pakënaqësinë që lidhen me jetën e përditshme civile në Shqipëri”, ishte shprehur ajo.
Kush është Fatma Paja?
Fatime Paja, e njohur artistikisht si Fatma Paja, është artiste vizuale, piktore, ilustruese dhe dizajnere grafike. Ajo ka lindur në Belsh dhe ka kontribuar në projekte të ndryshme që lidhen me artin pamor, ilustrimin, dizajnin grafik dhe trashëgiminë kulturore.
Së bashku me motrat e saj, Elsa dhe Natasha Paja, ka themeluar studion kreative TRIVET, përmes së cilës kanë realizuar projekte artistike, botime dhe ekspozita. Në disa botime institucionale ajo figuron me emrin “Fatime Paja (Trivet)”, ndërsa në aktivitetet artistike njihet kryesisht si Fatma Paja.
Në vitin 2023, Paja bashkëpunoi me organizatën Cultural Heritage Without Borders Albania (CHwB Albania) për një botim kushtuar Muzeut Etnografik të Krujës. Në këtë projekt ishte bashkautore e konceptit dhe u angazhua për ilustrimet, përpunimin grafik dhe faqosjen.
Gjatë viteve 2023–2024, studioja TRIVET bashkëpunoi me organizatat Art Kontakt dhe EcoKult në projektin CulTour Mirdita, duke realizuar dizajnin dhe ilustrimet e guidës turistike të Mirditës, si dhe materiale për ekspozitën “Mirdita në Fotografi”.
Tri motrat Paja realizuan gjithashtu kopertinën e raportit vjetor të organizatës Trees for Albania në vitin 2023. Një vit më pas, ato prezantuan në Shqipëri dhe Kosovë ekspozitën “Që prej motmoti”, kushtuar traditave, miteve dhe riteve shqiptare.
Në vitin 2024, Fatma Paja ishte anëtare e jurisë së Festivalit Ndërkombëtar të Animacionit Anibar në Kosovë. Ajo ka marrë pjesë edhe në aktivitete të komunitetit Albanians Who Design, ku ka prezantuar përvojën e saj në art dhe dizajn grafik.
Ndërkohë, hetimet për rastin vijojnë për identifikimin e personave të tjerë të dyshuar si të përfshirë dhe për përcaktimin e përgjegjësisë penale të secilit. Akuzat ndaj Pajës mbeten në fazën e dyshimeve dhe do të duhet të provohen gjatë procedurave ligjore.
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



