Dëmtohet aksi Librazhd-Pogradec, ndalohet kalimi i mjeteve të rënda
Autoriteti Rrugor Shqiptar (ARRSH) ka njoftuar për përkeqësim të situatës në zonën e rrëshqitjes së dherave në segmentin Arrat e Gurrës, pjesë e aksit Librazhd–Pogradec.
Sipas njoftimit zyrtar, gjatë orëve të fundit është konstatuar një agravim i ndjeshëm i rrëshqitjes, çka ka detyruar autoritetet të marrin masa shtesë sigurie. Pas verifikimeve në terren dhe në koordinim me Policia e Shtetit, është vendosur ndalimi i qarkullimit për mjetet e tonazhit të rëndë dhe autobusët në këtë segment, deri në një njoftim të dytë.
“Në vijim të njoftimit të mëparshëm për aksin Librazhd–Pogradec, vendi i quajtur Arrat e Gurrës, ju informojmë se situata në vendin e rrëshqitjes është agravuar ndjeshëm gjatë orëve të fundit. Pas vlerësimit në terren, ARRSH, në koordinim me Policinë e Shtetit, njofton se do të ndalohet qarkullimi i mjeteve të tonazhit të rëndë dhe autobusëve në këtë segment, deri në një njoftim të dytë, për arsye sigurie,” thuhet në deklaratë.
Autoritetet u bëjnë apel drejtuesve të mjeteve dhe operatorëve të transportit që të shmangin kalimin në këtë aks dhe të përdorin rrugë alternative deri në stabilizimin e plotë të situatës.
ARRSH thekson se masat janë ndërmarrë për të garantuar sigurinë e qytetarëve dhe për të parandaluar incidente të mundshme, duke kërkuar mirëkuptim nga të gjithë përdoruesit e rrugës.
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



