Denoncimi i gazetares: Prej 18 Marsit s’ka shërbim nga OSSH se drejtori është në fushatë

Gazetarja Ola Xama ka denoncuar sorollatjen me ditë të tëra, duke paguar edhe lekë për të marrë një shërbim në OSSH, por që  ende nuk mund ta marrë për shkak se mungon firma, pasi drejtori është në fushatë për të mbledhur vota për Partinë Socialiste.

Ajo thotë se ka bërë qindra telefona, është lutur, ka kërkuar ndere, ka blerë vetë materiale dhe sërish nuk e ka marrë shërbimin, pasi i kanë thënë prit deri sa të mbarojnë zgjedhjet, që drejtori të kthehet në punë.

“Kjo është keqeverisja dhe këtu e kupton që Bashkimi Europian është qindra vite dritë larg” shkruan ajo.

Postimi i plotë i Ola Xamës:

“E kupton që nuk ke për të hyrë kurrë në Bashkimin Europian, kur për të marrë një shërbim të cilin e paguan të sorollatin, të detyrojnë të futësh miq që të ta zgjidhin dhe në fund të marrësh përgjigjen se ka mbetur vetëm për firmë por drejtori është në fushatë!

Për çfarë bëhet fjalë? Është aplikuar për të bërë lidhje energjie me shtesë fuqie pranë OSSH që në 18 mars dhe askush nuk kthen përgjigje që të japë dakordësi dhe të vazhdohen punimet.

Procedura është e tillë, bëhet aplikimi, specialisti bën preventivin se sa i kushtojnë materialet për lidhjen kompanisë OSSH, paguhet fatura që varion nga 500 në 800 euro, dhe në fund drejtori rajonal firmos për t’i hapur rrugë lidhjes së energjisë. Zakonisht të thonë që duhet të presësh sepse nuk kemi bërë tenderin për furnizimin me materiale, i thua s’ka gjë se i ble vetë, paguan faturën kot (sepse materialet nuk i merr) dhe elektrifikohesh.

Aplikimi për këtë procedurë është online, por ata që e kanë provuar e dinë shumë mirë që duhet të bësh 100 telefonata, të lutesh, stresohesh dhe të kërkosh ndere. Dhe për çfarë? Për të marrë një shërbim që e paguan. Me shërbimet që paguhen siç është shpërndarja e energjisë dhe kërkesat teknike të klientëve, paguhen dhe pagat e punonjësve të cilëve duhet t’iu lutemi dhe t’i gjejmë mikun.

Pasi ke bërë të gjithë këtë rrugë, kur ka fushatë, thonë prit sa të mbarojnë zgjedhjet që drejtori të kthehet në punë. Pra ne i paguajmë rrogën, por ai punon për Partinë Socialiste. Kjo është keqeverisja dhe këtu e kupton që Bashkimi Europian është qindra vite dritë larg.”

Image

Publikuar nga Publik Media