E enjte, 15 tetor 2026 DENONCO ANONIM Denonco: +355 69 20 95 843
PUBLIK
Denoncimi për ISHSH: Si po i bëjnë ‘qokë’ kushëririt në Shkodër
Lajme

Denoncimi për ISHSH: Si po i bëjnë ‘qokë’ kushëririt në Shkodër

Një denoncim i mbërritur në redaksinë e Publik.al ngre dyshime mbi mënyrën se si është zhvilluar një procedurë inspektimi nga strukturat e Inspektoratit Shtetëror Shëndetësor në Shkodër.

Në qendër të denoncimit është subjekti “Natyra Bio Farm”, me përfaqësues Ylli Sterkaj, për të cilin është hartuar një procesverbal inspektimi më datë 5 tetor 2026.

Denoncuesi kërkon që rasti të verifikohet, pasi pretendon se inspektimi i pasqyruar në dokumentacion mund të mos jetë kryer fizikisht në terren dhe se bëhet fjalë për një kontroll që, sipas tij, mund të jetë dokumentuar vetëm në letra.

Çfarë thotë dokumenti zyrtar?

Procesverbali i inspektimit me nr. ISHSH-SH-2026-001805-2, i datës 5 tetor 2026, identifikon si subjekt “Natyra Bio Farm”, me NIPT M27624701J, me vendndodhje në Rrugën Rec-Razëm, Lohë e Vogël, në zonën e Shkrelit, Malësi e Madhe.

Në dokument është shënuar se inspektimi ka zgjatur 30 minuta, duke nisur në orën 08:35 dhe duke përfunduar në orën 09:05. Po aty evidentohet se kontrolli është kryer në vendndodhjen e subjektit dhe se nuk ka pasur njoftim paraprak.

Procesverbali nuk evidenton shkelje të kërkesave ligjore dhe në rubrikën për gjetjet e konstatuara është shënuar se “nuk ka shkelje”.

Por dokumenti përmban edhe një përshkrim të detajuar të gjendjes së pishinës së subjektit.

Sipas procesverbalit, pishina është klasifikuar si tipi A2, është konstatuar e pastër dhe me proces dezinfektimi të kryer. Dokumenti përmend gjithashtu praninë e certifikatës përkatëse DDD, uniformat e personelit, regjistrin e mirëmbajtjes dhe procedurat e pastrimit e klorinimit.

Në të njëjtin dokument thuhet se subjekti kishte paraqitur kërkesë për pajisjen me akt-miratimin higjieno-sanitar për pishinën dhe se ishte lënë detyrë për pajisjen me këtë akt. Procesverbali përmend edhe një vlerë prej 3,500 lekësh.

Denoncuesi kërkon verifikimin e orarit

Pikërisht koha e regjistruar në procesverbal është një nga elementet që ngre pikëpyetje në denoncimin e mbërritur në redaksi.

Sipas denoncuesit, në intervalin kohor kur dokumenti pasqyron kryerjen e inspektimit, personat e përfshirë në procedurë ndodheshin në ambientet e ISHSH Shkodër, në një mbledhje të rregullt të stafit me kryeinspektorin.

Denoncuesi pretendon se kjo rrethanë mund të verifikohet përmes kamerave të sigurisë së institucionit, duke kërkuar që pamjet të kontrollohen për të përcaktuar nëse inspektimi është kryer realisht në vendndodhjen e subjektit në orarin e shënuar në procesverbal.

Ky është një pretendim i denoncuesit dhe Publik.al nuk e paraqet atë si fakt të provuar, por e sjell për verifikim publik dhe institucional.

Një tjetër pikë që kërkon sqarim

Në procesverbal figuron gjithashtu një formulim që kërkon sqarim lidhur me afatin e pajisjes me akt-miratimin higjieno-sanitar. Dokumenti është hartuar më 5 tetor 2026, ndërsa në tekst shënohet se akti duhet të pajiset deri më 12/10/2025.

Kjo mospërputhje në datë mund të jetë një lapsus material në dokumentacion, por për shkak të natyrës së procedurës dhe rëndësisë që ka një procesverbal zyrtar, është një element që kërkon sqarim nga institucioni.

Dokumenti rezulton i formalizuar më 5 tetor 2026 dhe në fund të tij figuron emri i përfaqësuesit të subjektit, Ylli Sterkaj, si dhe përcaktimi se procesverbali duhet t’i njoftohet subjektit brenda 48 orëve nga përfundimi i inspektimit.

Publik.al kërkon transparencë

Në kushtet kur një dokument zyrtar pretendon se një inspektim është kryer fizikisht në një adresë të caktuar dhe në një orar të përcaktuar, ndërsa një denoncues pretendon të kundërtën, verifikimi i situatës është i mundur përmes provave objektive.

Nëse në të vërtetë ekziston një mbledhje e stafit në ISHSH Shkodër gjatë intervalit 08:00–09:00, pamjet e kamerave të sigurisë, regjistrat e hyrje-daljeve dhe dokumentacioni përkatës administrativ mund të ndihmojnë në sqarimin e rrethanave.

Po ashtu, mbetet për t’u sqaruar nëse inspektorët kanë qenë fizikisht në adresën e subjektit gjatë intervalit 08:35–09:05, siç pasqyrohet në procesverbal, dhe nëse të gjitha konstatimet e regjistruara në dokument janë bërë mbi bazën e një verifikimi real në terren.

Publik.al mbetet i hapur për qëndrimin dhe shpjegimet e ISHSH Shkodër, drejtuesve të institucionit, inspektorëve të përfshirë në procedurë dhe subjektit “Natyra Bio Farm”, në funksion të sqarimit të plotë të këtij rasti.

Na ndiqni në YouTubeVideo, intervista dhe transmetime nga PUBLIK TV Abonohu

Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.

Denonco
DENONCO

Zëri yt bëhet lajm.

Bëhu pjesë aktive e Publik.al. Raporto çdo padrejtësi, korrupsion apo ngjarje, me foto dhe video. Identiteti yt mbrohet nga redaksia.