Direkt nga telefoni, taksat e mjeteve do të paguhen në E-Albania
Kryeministri Edi Rama ka njoftuar sot një tjetër risi në kuadër të dixhitalizimit të shërbimeve publike. Përmes një postimi në rrjetet sociale, Rama bëri me dije se tashmë pagesa e taksave të mjeteve do të kryhet online përmes portalit e-Albania.
Në mesazhin e tij, Rama u shpreh:
“MIRËMËNGJES 😊 dhe me një tjetër shërbim të ri, që nis nga sot, pagesa e taksave të mjeteve ONLINE në e-Albania, ju uroj një ditë të mbarë 🫶”.
Së bashku me njoftimin, ai publikoi edhe një video ilustruese, e cila udhëzon qytetarët hap pas hapi se si të kryejnë pagesat në mënyrë elektronike.
Ky ndryshim është pjesë e përpjekjeve të qeverisë për të lehtësuar aksesin e qytetarëve në shërbimet publike dhe për të shmangur radhët dhe burokracitë në sportele fizike. Qytetarët që zotërojnë mjete tani mund të kryejnë detyrimet e tyre tatimore nga shtëpia apo zyra, përmes një kompjuteri ose telefoni.
Kalimi në sistemin online shihet si një hap drejt modernizimit të administratës publike, si dhe një mjet për rritjen e transparencës dhe luftën ndaj informalitetit.
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



