E hënë, 19 tetor 2026 DENONCO ANONIM Denonco: +355 69 20 95 843
PUBLIK
Dita e 109-të e protestës, qytetarët vijojnë revoltën ndaj sistemit
Lajme

Dita e 109-të e protestës, qytetarët vijojnë revoltën ndaj sistemit

Protesta e përditshme kundër qeverisë së Edi Ramës vijon edhe sot, duke shënuar ditën e 109-të të mobilizimit qytetar në kryeqytet.

Qytetarët dhe aktivistët pritet të rikthehen në shesh për të vijuar protestat, të cilat prej më shumë se tre muajsh janë shoqëruar me tubime, marshime dhe thirrje kundër qeverisë.

Dita e 109-të vjen pas një proteste të zhvilluar një ditë më parë në disa zona të Tiranës. Në ditën e 108-të, pjesëmarrësit u mblodhën fillimisht përpara Kryeministrisë dhe më pas vijuan me marshim në rrugët e kryeqytetit.

Gjatë protestës u dëgjuan thirrje si “Shqipëria po bën revolucion”, “Nuk shitet Shqipëria, shitet qeveria”, “Ju erdhi fundi” dhe “Arrestoni Ramën”.

Një tjetër ndalesë e protestuesve ishte pranë ambienteve të SPAK-ut. Atje u kërkua vijimi i hetimeve ndaj zyrtarëve të lartë, ndërsa aktivisti Arben Kola përmendi në deklaratat e tij kryeministrin Edi Rama dhe zv/kryeministren Belinda Balluku.

Kola u bëri thirrje qytetarëve që të vijojnë pjesëmarrjen në protesta dhe të shtojnë presionin publik.

“Veliaj në qeli dhe shqiptarët të lirë. Radhën e ka Rama me Belinda Ballukun. Ju ftoj çdo ditë në shesh të rrisim presionin popullor”, deklaroi aktivisti.

Protestuesit te Blloku i Sigurisë

Aksioni i së martës vijoi edhe pas marshimit nëpër Tiranë. Protestuesit u zhvendosën drejt Bllokut të Sigurisë, në rrugën “Mine Peza”, ku kërkuan lirimin e personave të ndaluar gjatë protestave.

Përpara ambienteve ku mbahen të ndaluarit u dëgjuan thirrje në mbështetje të tyre, mes të cilave “Nuk jeni vetëm”, “Lironi shqipet” dhe “Gjithë Shqipëria është me ju”.

Në këtë mënyrë, protesta e ditës së 108-të u shtri në disa pika të kryeqytetit, duke përfshirë Kryeministrinë, rrugët e Tiranës, SPAK-un dhe Bllokun e Sigurisë.

Thirrja për protestën e së enjtes

Ndërkohë, protesta e sotme pritet të jetë edhe një etapë përgatitore për tubimin e paralajmëruar të enjten përpara Parlamentit.

Nga protesta e së martës, organizatorë dhe pjesëmarrës u kanë bërë thirrje qytetarëve që të mblidhen në orën 10:00 pranë Parlamentit, në kohën kur Kuvendi pritet të zhvillojë seancën e radhës.

“Do të jemi të gjithë të enjten në orën 10:00 te Parlamenti”, ishte një prej thirrjeve të përcjella nga protestuesit.

Sipas tyre, aksioni qytetar synon të vijojë përtej tubimeve të përditshme pranë Kryeministrisë, me mobilizime edhe pranë institucioneve të tjera të vendit.

Na ndiqni në YouTubeVideo, intervista dhe transmetime nga PUBLIK TV Abonohu

Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.

Denonco
DENONCO

Zëri yt bëhet lajm.

Bëhu pjesë aktive e Publik.al. Raporto çdo padrejtësi, korrupsion apo ngjarje, me foto dhe video. Identiteti yt mbrohet nga redaksia.