Dita e 16-të e protestës, zbulohet itinerari i marshimit të sotëm
Protesta qytetare në Tiranë ka hyrë në ditën e saj të 16-të, me pjesëmarrësit që vijojnë të kërkojnë dorëheqjen e qeverisë dhe të kryeministrit Edi Rama. Tubimi ka nisur sërish në sheshin “Skënderbej”, ku qytetarët po mblidhen për të vijuar më pas me marshimin drejt institucioneve kryesore.
Një zhvillim i rëndësishëm këtë ditë është publikimi i itinerarit të ri të protestës, i bërë i ditur në rrjetet sociale nga moderatorja dhe blogerja e njohur, Fjoralba Ponari. Në postimin e saj është shpërndarë harta e lëvizjes së protestuesve, së bashku me disa udhëzime të reja organizative.
Sipas këtyre rregullave, marshimi do të zhvillohet i përqendruar brenda Unazës së Tiranës dhe nuk do të ndahet në grupe të veçanta. Organizatorët kërkojnë që pjesëmarrësit të shmangin devijimet spontane nga itinerari i përcaktuar, në mënyrë që protesta të mbetet e koordinuar dhe e sigurt.
Ora zyrtare e nisjes së marshimit është përcaktuar në 20:30, ndërsa një tjetër udhëzim i rëndësishëm lidhet me garantimin e një korsie të lirë për automjetet e emergjencës gjatë gjithë zhvillimit të protestës.
Publikimi i këtyre rregullave vjen pas zhvillimeve të një nate më parë, kur një pjesë e protestuesve u drejtuan jashtë kryeqytetit, drejt zonës së Rinasit, duke krijuar paqartësi mbi rrjedhën e protestës. Me ndryshimet e reja, synohet një organizim më i qartë dhe shmangia e situatave të papritura.

Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



