Dita e 55-të e protestës, qytetarët kërkojnë rrëzim të qeverisë
Protesta antiqeveritare vijon të mbajë ritëm të lartë, ndërsa qytetarët pritet të rikthehen edhe këtë mbrëmje në Bulevardin “Dëshmorët e Kombit”, në ditën e 55-të të mobilizimit. Organizatorët theksojnë se tubimet nuk do të ndalen deri në realizimin e asaj që ata e konsiderojnë si një ndryshim të domosdoshëm politik në vend.
Thirrja për pjesëmarrje është shtrirë në të gjithë vendin, me apel për bashkim masiv të qytetarëve. Sipas organizatorëve, presioni ndaj institucioneve do të vijojë në mënyrë të pandërprerë, ndërsa akuzat ndaj qeverisë fokusohen në korrupsion, kapje të shtetit dhe mungesë reagimi ndaj kërkesave të publikut.
Një ditë më parë, tensionet u zhvendosën para godinës së Kuvendit, ku u regjistruan përplasje mes protestuesve dhe forcave të rendit. Protestuesit hodhën vezë drejt automjeteve të deputetëve, ndërsa policia reagoi me gaz lotsjellës dhe spraj djegës për të shpërndarë turmën dhe për të siguruar hyrje-daljet e parlamentarëve.
Situata degjeneroi në përplasje fizike në disa momente, ndërsa një numër protestuesish u shoqëruan nga autoritetet. Në vijim, protesta u zhvendos në mbrëmje përpara Kryeministrisë, ku pjesëmarrësit marshuan në rrugët kryesore të Tiranës, duke artikuluar thirrje kundër klasës politike në tërësi.
Organizatorët theksojnë se lëvizja tashmë ka tejkaluar kufijtë e një proteste të zakonshme, duke u shndërruar në një reagim të gjerë qytetar kundër sistemit politik. Edhe për këtë mbrëmje pritet një pjesëmarrje e lartë, ndërsa mesazhi mbetet i njëjtë: protesta do të vijojë deri në largimin e qeverisë dhe hapjen e një kapitulli të ri politik.
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



