Djali i Remzi Hoxhës: Nuk e prisnim kurrë se do ta vrisnin!
Emisioni “Pa Gjurmë” solli në fokus një nga zhdukjet më të bujshme pas rënies së komunizmit në Shqipëri, atë të Remzi Hoxhës, shqiptarit nga Shkupi që u vendos me familjen e tij në Tiranë dhe u zhduk pa lënë asnjë gjurmë.
I biri i Hoxhës, Ardian Hoxha, rrëfeu dyshimet e tij për fatin e babait dhe pretendoi se pas zhdukjes qëndronte një urdhër politik nga nivelet më të larta të pushtetit të asaj kohe.
“Edhe pse Sali Berisha nuk ka qenë fizikisht prezent në momentin e rrëmbimit, urdhri për këtë vrasje politike ka ardhur prej tij. Ishte një akt i mirëorganizuar nga strukturat e shtetit të asaj kohe, për të heshtur zërat që nuk i bindeshin pushtetit,” tha Ardian Hoxha.

Avokati Idajet Beqiri kujtoi takimin e parë me Remzi Hoxhën dhe rëndësinë e tij në periudhën e trazuar të fillimit të viteve ’90.
“Në vitin 1991 u njoha me Remzi Hoxhën. Ishte një figurë shumë e rëndësishme. Fillimisht e njoha si biznesmen, më pas si aktivist të përkushtuar në lëvizjen për çlirimin e Kosovës. Dyshimet për mënyrën se si u zhduk dhe u eliminua janë të shumta dhe të tmerrshme. Një nga versionet më të besueshme është se ai u rrëmbye dhe u mbajt në një dhomë të fshehtë të SHIK-ut, në mes të pyllit në Vahni të Lezhës, ku edhe sot fshatarët dëshmojnë se kanë dëgjuar klithmat e tij nga torturat. Pasi e kishin vrarë dhe copëtuar trupin, ai u ngarkua në një varkë dhe u hodh në det,” rrëfeu Beqiri.
Një tjetër pistë tregon se Remzi Hoxha kishte ndërruar jetë pas torturave dhe trupi i tij ishte varrosur fshehurazi në malin me gropa, duke u zhdukur përgjithmonë.

Në studion e emisionit, Ardian Hoxha rikujtoi momentet e fundit me të atin:
“Isha vetëm 14 vjeç atëherë. Në vitin 1995 erdhëm në Shqipëri për t’u bashkuar me të, pasi kishim vite që jetonim të ndarë. Vetëm pak muaj më vonë, e morën. Nuk e prisnim kurrë se do ta vrisnin. Mendonim se pas një ose dy javësh do ta lironin. E kujtojmë si një njeri shumë të guximshëm dhe atdhetar.”
Ardian përfundoi rrëfimin me një mesazh të fortë drejtuar politikës dhe drejtësisë:
“Një drejtësi e vonuar është një drejtësi e mohuar.”
Në lidhje me ish-shefin e zyrës së SHIK për Tiranën, Ilir Kumbaro, i dënuar për rrëmbimin dhe zhdukjen e Remzi Hoxhës, ai u dënua më 2012 nga Gjykata e Krimeve të Rënda me 15 vite burg, por është zhdukur që atëherë. Policia e Londrës e ka shpallur në kërkim për qëndrim të paligjshëm në Mbretërinë e Bashkuar, ndërsa disa burime, përfshirë gazetarin Mero Baze, raportojnë se ai mund të strehohet aktualisht në Brazil.

Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



