Dokumenti i Ramës zbardh prapaskenat e mbledhjes urgjente të Kuvendit
Një dokument zyrtar i Këshillit të Ministrave, i siguruar së fundmi, hedh dritë mbi arsyen reale të mbledhjes së sotme të Kuvendit në seancë plenare, përtej axhendës formale të shpallur publikisht.
Sipas këtij vendimi, të firmosur nga Kryeministri Edi Rama vetëm pak ditë më parë, qeveria shqiptare i ka përcjellë Parlamentit me procedurë të përshpejtuar një projektligj për ratifikimin e një marrëveshjeje huaje direkte me Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Marrëveshja realizohet përmes Agjencisë së Bashkëpunimit për Sigurinë e Mbrojtjes (DSCA), në kuadër të programit amerikan për Financimin e Jashtëm Ushtarak (FMF).
Zyrtarisht, Kuvendi është thirrur për çështje rutinë që lidhen me zëvendësime në komisione parlamentare, por burime bëjnë të ditur se në thelb të kësaj lëvizjeje qëndron një marrëveshje strategjike me ndikim të drejtpërdrejtë në sigurinë kombëtare.
Projektligji pritet të prezantohet dhe të kalojë me ritëm të përshpejtuar në komisionet përkatëse, ku shqyrtimi do të zhvillohet në kushte konfidenciale në Komisionin e Sigurisë Kombëtare. Diskutimet do të kufizohen vetëm për deputetët që disponojnë certifikatë sigurie, ndërsa detajet teknike dhe relacioni shoqërues mbeten të klasifikuara.
Ndërkohë, burime jozyrtare flasin për një shumë që arrin në rreth 600 milionë euro, çka e kthen këtë marrëveshje në një nga operacionet më të mëdha financiare në fushën e mbrojtjes për Shqipërinë në vitet e fundit.
Dokumenti mban firmën e Kryeministrit Edi Rama dhe Ministrit të Financave, Petrit Malaj, dhe i është dërguar për shqyrtim Kuvendit të drejtuar nga Niko Peleshi.
Sipas procedurës, nëse miratohet, ligji do të hyjë në fuqi 15 ditë pas publikimit në Fletoren Zyrtare.
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco




