Dosja 5D, lirohen 5 ish-zyrtarët e Bashkisë Tiranë
Gjykata e Apelit e Posaçëm për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar ka vendosur të zbusë masat e sigurisë për disa ish-zyrtarë të Bashkisë së Tiranës, të akuzuar për veprën penale “Shkelja e barazisë së pjesëmarrësve në tendera apo ankande publike”.
Sipas vendimit të shpallur këtë të enjte, masat e dënimit me burg për Eglantina Zeren, Rivjola Baxhën, Enkelejda Qytën, Bruna Koçin dhe Kristo Zhulatin janë pezulluar, duke u zëvendësuar me vënie në provë për një periudhë 12-mujore.
Gjykata vendosi që Eglantina Zere të vendoset në shërbim prove për një vit, me detyrimin për të mbajtur kontakte të rregullta me Degën Territoriale të Shërbimit të Provës në Tiranë dhe me kusht që gjatë kësaj periudhe të mos kryejë vepra të tjera penale. E njëjta masë është caktuar edhe për Rivjola Baxhën dhe Enkelejda Qytën, të cilat do të jenë nën mbikëqyrje të shërbimit të provës për 12 muaj.
Për Bruna Koçin, gjykata ka urdhëruar detyrimin për t’iu përgjigjur thirrjeve dhe kërkesave të organeve përgjegjëse për mbikëqyrjen e provës. Ndërkohë, edhe për Kristo Zhulatin është vendosur pezullimi i ekzekutimit të dënimit me burg dhe vënie në provë për një vit, me të njëjtat kushte ligjore.
Fillimisht, Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë kishte shpallur fajtorë të pandehurit, duke i dënuar secilin me nga 9 muaj burgim, dënim që u reduktua në 6 muaj për shkak të gjykimit të shkurtuar. Gjithashtu, për të gjithë ishte vendosur ndalimi i ushtrimit të funksioneve publike për një periudhë 5-vjeçare.
Apeli ka lënë në fuqi vendimin e shkallës së parë, por ka vendosur pezullimin e dënimit me burg dhe zbatimin e masës së provës, në përputhje me nenet 59 dhe 61 të Kodit Penal.
Gjatë fazës së hetimeve, SPAK ka sekuestruar një sërë pasurish në emër të ish-zyrtarëve dhe familjarëve të tyre, të cilat vijojnë të jenë nën administrim shtetëror.
Shpenzimet procedurale dhe gjyqësore, si në shkallë të parë ashtu edhe në apel, do të përballohen nga të pandehurit në mënyrë solidare. Vendimi u shpall në Tiranë, më 29 janar 2026, dhe ndaj tij lejohet rekurs brenda afatit ligjor.
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



