Drejtësia e Re, Ish-presidenti Meta dhe e pandehura Belinda Balluku
Rasti i Ilir Meta duket se është zhvendosur nga një çështje penale në një test politik për raportin mes pushtetit dhe drejtësisë së re. Gjithkush e ka parasysh skenën ordinere dhe hakmarrëse ndaj ish-kreut të Kuvendit, ish-presidentit dhe ish-kryeministrit Meta në momentin e arrestimit. Turpëruese sa më s’ka! Pas dy vitesh, Meta po përballet para gjykatës, pasi ka ezauruar të gjithë procedurën në shkallët e gjyqësorit, por vijon të mbetet në qeli, edhe pse rasti i tij është zhvendosur nga një çështje penale në një test politik për raportin mes pushtetit dhe drejtësisë së re.
Sot duket se strategjia e Metës është viktimizim dhe mobilizim në daljen e parë para GJKKO. Ish-presidenti e ka pritur dy vite kontaktin me mbështetësit, ndaj simbolika kombëtare dhe kërkesa për transmetim live nuk janë spontane. Narrativa e tij është e qartë: nga i pandehur penal në figurë politike që “përballet me sistemin”.
Pamja fizike e lodhur dhe momentet e arrestimit me forcë futen në të njëjtën linjë: krijohet imazhi i një lideri të goditur, jo thjesht i një të akuzuari.
SPAK dhe drejtësia e re kanë pasur nevojë për autoritet, si në rastin e Ilir Metës dhe Sali Berisha. Për SPAK dhe GJKKO-në, pra strukturën e re të drejtësisë, ky është rast prove. Një ish-President në paraburgim është sinjal i fortë: askush nuk është mbi ligjin. Por ana tjetër e medaljes është e pandehura Belinda Balluku për miliona euro korrupsion, e cila vijon aktivitetin politik çdo javë nga Roskoveci deri në Divjakë. Pasi Edi Rama i ka vënë kufirin “te thana” kreut të SPAK-ut Klodian Braho. Ndërsa çdo zbutje mase ndaj Metës interpretohet menjëherë si dobësi ose presion politik.
Konflikti i dy narrativave.
Meta, apo edhe Berisha, duket se janë pjesë e një procesi politik, ndaj kërkojnë transparencë totale dhe përballje publike.
A mjafton që SPAK/GJKKO të mos e privojnë të paktën ish-presidentin nga të drejta që u njihen hajdutëve të tjerë të Rilindjes, në një masë më të lehtë deri në vendimin e formës së prerë? Meta nuk ka nga i ikën procesit penal; madje ai kërkon ta mbyllë me transparencë deri në fund, ashtu si edhe Monika Kryemadhi.
Gjykata do ta rriste autoritetin në rastin e ish-presidentit më shumë nëse do ta linte në arrest shtëpie.
Kërkesa për kamera dhe transmetim live është pika ku përplasen drejtpërdrejt: Meta për legjitimitet publik; gjykata e mendon si rrezik të transformimit të sallës në tribunë politike.
Fakti që ka qenë kryeministër, kryetar Kuvendi dhe President e bën rastin jo linear. Statusi i Ilir Metës e ul rrezikun e arratisjes, por rrit rrezikun e ndikimit përmes rrjeteve politike dhe aksesit indirekt.
A janë bindëse arsyet pse Ilir Meta dhe Monika Kryemadhi trajtohen me masa të ndryshme? Krahasimi me ish-presidentin francez Nicolas Sarkozy duhet të ishte një shembull tipik për paraburgimin dyvjeçar të Metës. Paçka se diferenca është strukturore, pasi në sistemet perëndimore ish-liderët rrallë izolohen fizikisht përpara vendimit përfundimtar, sepse institucionet e drejtësisë janë shumë më të konsoliduara.
Në Shqipëri, drejtësia e re është ende në fazë legjitimimi dhe, siç po tregon rasti i Belinda Ballukut, perceptohet si e përdorur nga Edi Rama dhe pa autoritet.
Altin Dumani ndoshta për këtë arsye përdor masa më të forta për të ndërtuar autoritet, por kjo shihet si e ndikuar politikisht.
Arresti shtëpiak në këtë kontekst nuk është thjesht masë sigurie, por do t’i bënte nder çdo gjyqtari për një proces dinjitoz ndaj një drejtuesi që ka mbajtur funksione të larta shtetërore.
Të paktën do të ishte i barabartë me të pandehur të tjerë të profilit të lartë, që po shohim çdo ditë në dosjet e drejtësisë. Nisur nga akuzat ne dosjet për Metën dhe Berishën që janë bërë publike, nëse drejtësia do të trajtojë me të njëjtin standard edhe kryeministrin aktual nëse do t’i vijë radha kushedi sa vite burg e presin….
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



