Drejtoreshës së KESH i sekuestrohet për herë të dytë telefoni
Hetimet e Prokurorisë së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar kanë hyrë në një fazë të re, pas një operacioni të gjerë të zhvilluar në disa qytete të vendit. Në bashkëpunim me Byronë Kombëtare të Hetimit, SPAK ka kryer gjithsej 34 kontrolle në banesa dhe subjekte tregtare që lidhen me persona të konsideruar si të afërt apo të besuar të zv.kryeministres dhe ministres së Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku.
Burime pranë hetimit bëjnë me dije se veprimet procedurale janë shtrirë në disa institucione kyçe, përfshirë Autoritetin Rrugor Shqiptar dhe Korporatën Elektroenergjetike Shqiptare (KESH). Po ashtu, janë kontrolluar edhe banesa private të disa zyrtarëve dhe individëve të lidhur me çështjen.
Mësohet se dosja hetimore ndaj Ballukut po thellohet ndjeshëm dhe se SPAK pritet t’i drejtohet Kuvendit me prova të reja, duke kërkuar autorizim për masa më të rënda procedurale, përfshirë edhe arrestimin.
Në kuadër të këtij operacioni, për herë të dytë është sekuestruar telefoni celular i Viola Haxhiademit. Gjatë kontrollit në banesën e saj mësohet se janë marrë gjithashtu pajisje kompjuterike dhe dokumentacion që konsiderohet me interes për hetimin.

Aktualisht, Haxhiademi mban postin e drejtoreshës së Korporatës Elektroenergjetike Shqiptare, ndërsa më herët ka ushtruar funksionin e Sekretares së Përgjithshme në Ministrinë e Infrastrukturës dhe Energjisë. Kujtohet se edhe gjatë kohës që mbante këtë detyrë, SPAK kishte kryer kontrolle në ambientet e ministrisë dhe i kishte sekuestruar telefonin.
Kontrolle janë ushtruar gjithashtu edhe në banesën e shefes së kabinetit të ministres Balluku, Sindi Dushku, si dhe në ambiente të tjera të lidhura me të.

Me vendim gjykate, sipas të njëjtave burime, janë kontrolluar edhe shtëpitë dhe bizneset e sipërmarrësve Ilir Shtufi dhe Rrok Gjoka. Ndërkohë, pjesë e verifikimeve kanë qenë edhe banesat e disa anëtarëve të Komisionit të Vlerësimit të Ofertave, të cilët rezultojnë të përfshirë në procedurat që po hetohen.
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



