Paralajmërimi: Nëse Rama i hap ‘luftë’ SHBA, do përfundojë si Enver Hoxha
Aulon Kalaja ka artikuluar kritika të forta ndaj kryeministrit Edi Rama dhe zv.kryeministres Belinda Balluku, ku u ndal te skandalet e përfolura dhe roli i institucioneve të drejtësisë.
Sipas Kalasë, Balluku duhej të kishte dhënë dorëheqjen vetë, por sipas tij kryeministri Rama po e mbron atë “me çdo kusht”, duke marrë një kosto të lartë politike. Ai theksoi se kjo mbrojtje po e vë në pikëpyetje vetë pozicionin e Ramës si kryeministër.
“Balluku duhet të dorëhiqej vetë, por ky po e mbron në çdo kusht. Është koka e tij në tepsi e them me sinqeritet këtë”, u shpreh Kalaja.
Më tej, ai nënvizoi rëndësinë e hetimeve nga SPAK, duke kërkuar që drejtësia të hedhë dritë mbi skandalet që lidhen me Ballukun. Sipas tij, strategjia e Ramës është të krijojë përplasje mes institucioneve të drejtësisë.
“Loja e Edi Ramës është të përplasë dy gjykata me njëra-tjetrën. Kjo zonjë duhet të dorëhiqej vetë, por ky po e mbron në çdo kusht. Po merr kosto të lartë. Është koka e tij në tepsi e them me sinqeritet këtë. Ai ka vendosur në pikëpyetje ekzistencën e vet si kryeministër me këtë luftë që po bën. I kanë izoluar njëherë amerikanët në ’97, nëse ky do t’i bëjë luftë do të përfundojë si Enver Hoxha”, deklaroi Kalaja.
Duke komentuar gjithashtu letrën e ish-presidentit Donald Trump në lidhje me Bordin e Paqes, Kalaja akuzoi kryeministrin Rama për mashtrim publik. Sipas tij, Rama nuk është ftuar personalisht, por është ftuar Shqipëria, çka e cilësoi si lajm pozitiv për vendin, por negativ mënyrën se si, sipas tij, po përdoret politikisht.
“Rama ka bërë mashtrim publik sepse tha se ishte në bordin e kësaj organizate. Por në bord nuk janë pesha të lehta si Rama. Mashtrimi i dytë ishte rasti me Mamicën, që e ka vendosur ministre të Punëve të Jashtme, zonja Spiropali, e cila tha se Trump ka thënë për Ramën se është lider i respektuar. Më gjeni këtë, sepse është një gomarllëk i tillë”, u shpreh Kalaja.
Ai shtoi se, ashtu si Rama, edhe figura të tjera si Lukashenko janë ftuar, duke theksuar se ftesa ka qenë për shtetin shqiptar dhe jo për individin. Sipas tij, kjo lidhet me interesat strategjike të SHBA-ve dhe pozitën gjeopolitike të Shqipërisë, përfshirë edhe çështje si Groenlanda.
Kalaja deklaroi gjithashtu se ka informacion sipas të cilit Rama ka tentuar të realizojë një takim apo foto me Trump, por nuk është lejuar, duke e cilësuar si mashtrim pretendimin për marrëdhënie të shkëlqyera mes tyre.
Në fund, Kalaja foli në News24 edhe për protestën e opozitës më 24 janar, duke bërë thirrje që qytetarët të dalin masivisht në shesh. Sipas tij, opozita duhet të jetë më kreative, më rezistente dhe më e organizuar përballë situatës politike aktuale.
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



