Kash Patel: Do të ketë transaprencë totale për ‘Russiagate’
Nuk ka qetësi për Edi Ramën. Teksa kryeministri po përgatitet të udhëtojë drejt SHBA-së për të marrë pjesë në dasmën e Alex Sorosit, lajme aspak të mira i kanë ardhur nga drejtori i FBI-së, Kash Patel.
Ky i fundit ka folur në mediat amerikane mbi zhvillimet aktuale dhe ka paralajmëruar se do të bëhet transparencë për çështjen “Crossfire Hurricane”, pra çështjen e hetimeve ruse ndaj Trump.
FBI-ja hapi një hetim të kundërzbulimit më 31 korrik 2016 për të përcaktuar nëse Trump, atëherë kandidat presidencial, ose anëtarët e fushatës së tij po bashkëpunonin ose koordinonin me Rusinë për të ndikuar në zgjedhjet e vitit 2016. Brenda byrosë, ky hetim njihej me emrin “Crossfire Hurricane”.
Pjesë e kësaj dosjeje është edhe Charles McGonigal, ish-agjenti i FBI-së dhe personi i parë që është dënuar dhe ka pranuar se ka shpërdoruar detyrën. Njëherësh, mik i Edi Ramës.
Gjatë intervistës shpërthyese me Joe Rogan, kreu i FBI-së i kushtoi një pjesë të konsiderueshme të diskutimit ‘Russiagate’, duke mbështetur akuzat e Presidentit Donald Trump se ai ishte spiunuar gjatë hetimit për ndërhyrjen ruse në zgjedhjet e vitit 2016.
Patel drejtoi gishtin nga figura të shquara të kohës, veçanërish nga ish-drejtori në detyrë i FBI-së, Andrew McCabe, dhe ish-zëvendësprokurori i përgjithshëm, Rod Rosenstein, duke i akuzuar ata për orkestrimin e një fushate dezinformimi dhe fshehjen e provave thelbësore.
“I kapa”, tha Patel me bindje, duke pretenduar se McCabe dhe Rosenstein dinin për aktivitetin e paligjshëm që lidhej me hetimin. Patel tha se arroganca e tyre i shtyu të dokumentonin gjithçka, duke besuar se askush nuk do t’u zbulonte kurrë sekretet.
Patel sugjeroi se veprimet e McCabe dhe Rosenstein mund të lidhen me një komplot më të madh, i cili, sipas tij, do të eliminonte afatin e parashkrimit për të ashtuquajturat “krime procedurale”, të cilat normalisht kanë një afat pesëvjeçar.
Duke premtuar transparencë, Patel përsëriti angazhimin për të bërë publike të gjitha informacionet përkatëse. “Ne do t’ia bëjmë gjithçka të disponueshme publikut amerikan”, tha ai, duke theksuar se çdo vendim në lidhje me ndjekjen penale të mundshme do të merret në bashkëpunim me Departamentin e Drejtësisë.
McGonigal, ndërsa shërbente si shef i seksionit të krimeve kibernetike në selinë e FBI-së në Uashington, DC, ishte ndër zyrtarët e parë të FBI-së që u informua për akuzat se George Papadopoulos, një këshilltar i fushatës së Trump-it në vitin 2016, mburrej se ai e dinte që rusët kishin papastërti politike ndaj kandidates demokrate Hillary Clinton.
Ky informacion çoi FBI-në në hapjen e “Crossfire Hurricane”, për të faktuar nëse zyrtarët e Trump-it ishin koordinuar “me dashje apo pa dashje” me përpjekjet e Rusisë për të ndërhyrë në zgjedhjet presidenciale të vitit 2016.
Në shtator 2020, Zëvendës Ndihmës Drejtori i FBI-së, Jonathan Moffa, tha gjatë marrjes në pyetje nga Komisioni Gjyqësor i Senatit, se ai mori një e-mail në korrik 2016 nga McGonigal në lidhje me Papadopoulos, që “përmbante në thelb atë raportim, i cili më pas shërbeu si bazë për hapjen e çështjes”.
Më pas doli se McGonigal ishte korruptuar nga rusët dhe kjo e çoi pas hekurave. Tani mbetet të shihet nëse do të dalë edhe dosja shqiptare, pasi mund të publikohen detaje të reja për lidhjet e tij me kryeministrin shqiptar. Në publik dolën shumë pak detaje, ndërkohë që dosja është mjaft voluminoze. /Pamfleti