“Shorti vip” që përjashtoi Tifozat Kuqezi dhe mbushi stadiumin me klientelën e dhe të njohurit
Shënim i Publik.al:
Në një nga sfidat më të ndjeshme dhe të shumëpritura të vitit, Shqipëri–Serbi, Federata Shqiptare e Futbollit ka rënë në qendër të një skandali të mirëfilltë për shpërndarjen e biletave. Pavarësisht premtimeve për një short të ndershëm dhe barazi mes tifozëve, realiteti që u shfaq në tribunat e “Air Albania” ishte një farsë e pastër.
“Tifozat Kuqezi”, zemra e tribunës shqiptare, u lanë jashtë, ndërsa tribunat u populluan me figura të shoëbizit, modele, influencues, dhe drejtues institucionesh shtetërore. Pamjet nga stadiumi treguan se, në vend të zërit të tifozëve, u preferua zhurma e “VIP-ave” me lidhje telefonike. Vetë modelja Juliana Nura e pranoi publikisht se kishte marrë biletën me një telefonatë të vetme nga Armando Duka – një dëshmi e drejtpërdrejtë e asaj që shumëkush e quan: abuzim i hapur me pushtetin e FSHF-së.
Duka u mbrojt me pretekstin se “të gjithë kishin njëlloj shans përmes shortit”. Por shorti që përjashton tifozët e vërtetë dhe shpërblen VIP-at dhe politikanët, është më shumë një mashtrim kolektiv sesa një proces i barabartë.
Ky skandal i ka rikthyer edhe një herë akuzat ndaj FSHF-së si një strukturë e mbyllur, e kapur nga klientelizmi, që përdor kombëtaren si dekor për interesa personale dhe si favor ndaj kastës së privilegjuar – duke tradhtuar besimin dhe pasionin e mijëra tifozëve të ndershëm që mbeten përjashta portave.
Kur kombëtarja bëhet pronë private, humb vetë kuptimi i përfaqësimit kombëtar.