Dumani “mbyll sytë” për rastin “Aruba”: Nuk e njoh si çështje
Kreu i SPAK, Altin Dumani, është përballur sot me pyetje të drejtpërdrejta në Komisionin e Ligjeve, lidhur me ekzistencën e ndonjë hetimi për të ashtuquajturën “dosja Aruba” — një çështje që, sipas denoncimeve mediatike dhe politike, lidhet me takime mes karteleve të drogës dhe zyrtarëve të lartë shtetërorë shqiptarë, si dhe me dyshime për pastrim parash përmes lejeve të ndërtimit.
Pyetja u ngrit nga deputetja e Partisë Demokratike, Elda Hoti, e cila kërkoi të dinte nëse SPAK ka nisur hetime për këtë rast dhe nëse është ngritur ndonjë grup pune për të ndjekur flukset e dyshimta financiare që përmenden në raportimet ndërkombëtare.
Në përgjigjen e tij, Dumani u shpreh shkurt:
“Nuk njoh ndonjë çështje me emrin Aruba, nuk kam asgjë për të ndarë me Kuvendin dhe opinionin publik.”
Deklarata e kreut të SPAK ka ngjallur reagime, pasi “dosja Aruba” është përmendur më herët në hetime të kryera nga Antimafia italiane, ndërsa në Shqipëri duket se është lënë jashtë vëmendjes së organeve të drejtësisë.
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



