E enjte, 15 tetor 2026 DENONCO ANONIM Denonco: +355 69 20 95 843
PUBLIK
Durim Bami kërkon transferimin në burgun e Fushë Krujës
Lajme

Durim Bami kërkon transferimin në burgun e Fushë Krujës

Avokati: I rrezikohet jeta

Avokati Ilir Murati i është drejtuar me një kërkesë urgjente institucioneve përgjegjëse për transferimin e të paraburgosurit Durim Bami nga IEVP Jordan Misja drejt IEVP Fushë-Krujë, duke argumentuar se jeta dhe integriteti i tij fizik janë të rrezikuara.

Kërkesa është depozituar pranë Drejtoria e Përgjithshme e Burgjeve, Ministria e Drejtësisë dhe SPAK, ku theksohet se Bami aktualisht mbahet në ambientet e paraburgimit në Tiranë, ku ndodhen edhe persona që sipas organit të akuzës dyshohet se kanë qenë të përfshirë në plane për eliminimin e tij fizik.

Durim Bami mbërriti në Shqipëri më 26 shkurt 2026 nga Emiratet e Bashkuara Arabe, ndërsa menjëherë pas mbërritjes u transferua në paraburgimin e sigurisë së lartë në Tiranë. Në procesin penal që po ndiqet nga SPAK, ai përfaqësohet me prokurë të posaçme nga avokati Ilir Murati.

Sipas dokumentacionit zyrtar, Bami akuzohet për veprat penale “Sigurimi i kushteve dhe mjeteve materiale për të kryer vrasje”, në kuadër të një grupi të strukturuar kriminal, si dhe “Pjesëmarrje në grup të strukturuar kriminal”, të parashikuara në nenet përkatëse të Kodit Penal.

Ndërkohë, në Gjykata e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar po zhvillohet një proces penal ndaj disa grupeve të strukturuara kriminale, mes tyre edhe grupet e njohura si “Martinaj”, “Avdylaj” dhe “Bajraj”.

Në kërkesën drejtuar institucioneve, avokati Murati argumenton se fakti që në të njëjtin institucion ndodhen persona që dyshohet se kanë planifikuar vrasjen e Bamit përbën një “rrezik real, serioz dhe aktual” për jetën e tij.

Sipas tij, administrata e burgjeve ka detyrim ligjor dhe konvencional për të garantuar sigurinë e çdo personi të privuar nga liria. Ai thekson se mosmarrja e masave parandaluese në një situatë të tillë do të përbënte shkelje të detyrimeve ligjore nga ana e institucioneve përgjegjëse.

Avokati i referohet gjithashtu dispozitave të Ligjit nr. 81/2020 “Për të drejtat dhe trajtimin e të dënuarve me burgim”, duke theksuar se edhe personat e paraburgosur gëzojnë të njëjtat garanci për siguri dhe mbrojtje.

Sipas mbrojtjes, gjatë një takimi të zhvilluar më 27 shkurt 2026 në ambientet e burgut, Durim Bami ka shfaqur gjendje jo të mirë shëndetësore dhe stres të vazhdueshëm për shkak të situatës në të cilën ndodhet.

Për këto arsye, avokati kërkon transferimin e menjëhershëm të tij nga IEVP “Jordan Misja” drejt IEVP Fushë-Krujë, si dhe marrjen e masave të përkohshme emergjente të sigurisë deri në realizimin e këtij transferimi.

Na ndiqni në YouTubeVideo, intervista dhe transmetime nga PUBLIK TV Abonohu

Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.

Denonco
DENONCO

Zëri yt bëhet lajm.

Bëhu pjesë aktive e Publik.al. Raporto çdo padrejtësi, korrupsion apo ngjarje, me foto dhe video. Identiteti yt mbrohet nga redaksia.