Durrësi përmbytet, Bashkia e Emiriana Sakos ‘krihet’
Zhvillon tender 125 mijë euro për dekor
Durrësi ishte një nga qytetet më të goditura nga përmbytjet e janarit 2026, ku për ditë me radhë qindra banesa dhe mijëra hektarë tokë u përfshinë nga uji. Ndërsa situata rëndohej, autoritetet vendore ia faturuan gjithçka “forcave të natyrës”, duke shmangur përgjegjësinë për një problem që përsëritet sa herë reshjet janë më intensive.

Paaftësia në menaxhimin e emergjencave, e kthyer tashmë në rutinë, ka bërë që lagje të tëra si ish-Këneta, Spitalla, Shkozeti, por edhe zona brenda qytetit të Durrësit, të përballen vazhdimisht me përmbytje. Pamjet e banorëve që lëviznin me gomone, varka apo mjete të improvizuara në rrugët e qytetit nuk duket se kanë tronditur drejtuesit e Bashkisë së Durrësit, të cilët në çdo vend me standarde demokratike do të kishin dhënë dorëheqjen përballë një situate të tillë.
Madje, sipas shumë qytetarëve, përgjegjësit jo vetëm që duhej të largoheshin nga detyra, por edhe të përballeshin me drejtësinë, duke mbuluar dëmet e shkaktuara jo nga buxheti i shtetit, por nga xhepat e tyre. Kjo, sidomos në një kohë kur dhjetëra miliona euro nga taksat e banorëve janë shpenzuar për ndërtimin e hidrovoreve, pastrimin e kanaleve apo blerjen e mjeteve të rënda, të cilat rezultuan të paefektshme përballë përmbytjeve.
Uji që pushtoi qytetin nxori në pah edhe cilësinë e dobët të investimeve në infrastrukturë. Në lagjen nr. 8 dhe në zonën e Currilave, asfalti, i shtruar vetëm disa centimetra, u shpërbë brenda pak orësh, duke ngritur pikëpyetje serioze mbi përdorimin e fondeve publike.

E ndërsa qyteti përpiqej të dilte nga kaosi, Bashkia e Durrësit duket se kishte prioritete të tjera. Dokumentat tregojnë se Ndërmarrja “Rruga” në varësi të bashkisë ka hapur një tender për “blerje dekori”, menjëherë pas përmbytjeve. Shprehja popullore “Fshati digjet, nusja krihet” duket se merr një formë të re: “Fshati digjet, Bashkia e Durrësit krihet”.
Pyetjet që lindin janë të shumta: si mund të shpallet një tender për dekor, në një kohë kur dëmet ende nuk janë evidentuar plotësisht dhe mijëra qytetarë janë pa strehë? A është kaq emergjent dekori dhe propaganda për kryetaren Emiriana Sako? Dhe ku do të vendoset ky dekor, ndoshta pranë Pallatit të Sportit, aty ku gjatë përmbytjeve një qytetar lëvizte me kanoe?
Sipas dokumentacionit, Ndërmarrja “Rruga” parashikon të shpenzojë rreth 12.5 milionë lekë, ose mbi 125 mijë euro, për këtë blerje. Një shifër që bie ndesh me realitetin e qytetarëve që humbën gjithçka nga uji. Ndërkohë, mbetet për t’u parë nëse kryetarja e bashkisë, zëvendësit e saj apo përfaqësues të qeverisë do të shfaqen në aktivitete festive, me dekorin e ri si sfond, ndërsa plagët e qytetit janë ende të hapura.
Shqiptarët shpesh harrojnë shpejt, ndoshta nga lodhja e akumuluar e tranzicionit. Por për familjet që jetuan ditë të tëra nën ujë, përmbytjet e përsëritura dhe neglizhenca institucionale nuk janë skena që fshihen lehtë nga kujtesa.

Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



