Si përzuri të rinjtë nga PD Vlora dhe sot drejton Kadastrën me bekimin e pushtetit
Nga Landi Çela
Një emërim i fundit në Vlorë ka ngjallur jo pak ironi e zemërim mes demokratëve të zhgënjyer. Genc Derememaj, ish-kryetar i Partisë Demokratike, dega Vlorë – një njeri që për vite vendosi kush futej dhe kush përjashtohej nga e djathta në qytet – është emëruar nga qeveria në krye të Kadastrës së Vlorës (ASHK).
Po, pikërisht ai që me arrogancë dhe pa asnjë përfaqësim të vërtetë, përzuri nga PD të rinj, profesionistë dhe idealistë, përpara se të braktiste vetë partinë, është tashmë në shërbim të pushtetit të majtë – dhe jo në ndonjë zyrë dosjesh, por në një nga institucionet më të ndjeshme dhe më të ekspozuara ndaj interesave të mëdhenj të tokës dhe ndërtimit.
Nga “opozitar” i dështuar te përfitues i sistemit që denonconte
Ky është një shembull i qartë i asaj që Partia Demokratike është shndërruar në shumë qytete të vendit: një parti e kapur nga pazaret personale, ku askush nuk jep llogari, ku të rinjtë dhe zërat ndryshe përjashtohen, dhe ku drejtuesit lokalë e shohin PD-në si trampolinë për të bërë paqen me pushtetin – sapo të dalin nga dera.
Genc Derememaj nuk është përjashtim. Ai përfaqëson një model të kalbur të “opozitarit me teserë PD-je dhe mendësi të PS-së”, që nëse nuk përfiton dot brenda PD-së, shkon e përfiton në qeverinë që pretendonte se luftonte.
Ndërkohë në Tiranë, Alizoti merret me Izraelin
Kujt i bie ndërmend të reagojë? Në krye të PD-së sot kemi një bashkëkryetar opozite që analizon konfliktin Izrael-Iran në emisione televizive, ndërsa partia i shembet në degë, i boshatisen zyrat, dhe strukturat vendore bien një nga një në gjirin e pushtetit që dje i luftonin me flamur në dorë.
Opozita nuk ka më kurrfarë filtri moral. Në vend që të ndëshkohen ata që përçanë dhe shkatërruan bazën, ata shpërblehen nga kundërshtari politik dhe heshtja mbizotëron.
Ky është realiteti i hidhur: PD është kthyer në një pasqyrë të deformuar të vetvetes, ku shumë drejtues lokalë kanë ndërruar vetëm flamurin në zyrë, jo mendësinë.