E martë, 20 tetor 2026 DENONCO ANONIM Denonco: +355 69 20 95 843
PUBLIK
‘E-Albania’ prej katër ditësh, si në ‘gjendje lufte’
Lajme

‘E-Albania’ prej katër ditësh, si në ‘gjendje lufte’

Prej disa ditësh, qindra biznese janë përballur me bllokim të plotë të aktivitetit, për shkak të mosfunksionimit të sistemit “self-care”, i administruar përmes platformës e-Albania.

Sipas profesionistëve të fushës, aksesi në platformën e faturimit është praktikisht i pamundur. “Nuk hapet fare sistemi i faturave”, shprehet një ekonomiste, duke sqaruar se bizneset e vogla, kryesisht të vetëpunësuarit, varen plotësisht nga kjo platformë për të lëshuar fatura tatimore për shërbimet që ofrojnë. Për disa ditë me radhë, ata nuk kanë mundur të kryejnë asnjë faturim, pasi sistemi nuk është funksional.

Edhe pse problematikat me sistemet digjitale janë shfaqur herë pas here që nga fundi i vitit të kaluar, kjo është periudha e tretë radhazi kur ndërprerja ka qenë totale dhe e zgjatur, duke pamundësuar aksesin e bizneseve në shërbimet bazë.

Situata është veçanërisht e rëndë për bizneset e vogla me një të vetëpunësuar, të cilët nuk arrijnë të përgatisin bilancet financiare, pasi nuk mund të gjenerojnë faturat e blerjes dhe shitjes, si dhe tabelat përmbledhëse të të ardhurave dhe shpenzimeve vjetore, dokumente mbi të cilat ndërtohet bilanci financiar. Për shumë prej tyre, kjo platformë është i vetmi mjet i përdorur, edhe për faktin se ofrohet pa kosto.

Përmes të njëjtit sistem realizohet edhe ngarkimi dhe administrimi i certifikatave të fiskalizimit. Në rastet kur certifikata njëvjeçare skadon gjatë kësaj periudhe, subjektet rrezikojnë të mbeten plotësisht jashtë funksionit, pasi rinovimi nuk mund të kryhet në kushtet aktuale.

Agjencia Kombëtare e Shoqërisë së Informacionit (AKSHI), institucioni përgjegjës për administrimin e e-Albania, nuk ka pranuar zyrtarisht se sistemi është jashtë funksioni. Megjithatë, burime pranë institucionit bëjnë me dije se problematika është e njohur dhe se po punohet për zgjidhjen e saj.

“Janë kthyer si sistemet e kohës së luftës”, shprehet me ironi një ekonomist, duke komentuar situatën e krijuar.

Paradoksi bëhet edhe më i dukshëm po të kihet parasysh se investimet në qeverisjen digjitale janë rritur ndjeshëm vitet e fundit. Vetëm gjatë vitit 2025, fondet për e-qeverisjen u trefishuan, duke arritur në 20.1 miliardë lekë, mbi 200 milionë euro. Krahasuar me vitin 2019, kur financimi ishte rreth 3.3 miliardë lekë, shpenzimet totale në katër vite kapin vlerën e 48.4 miliardë lekëve, ose afro gjysmë miliardi euro.

Ndërkohë, edhe numri i punonjësve në administratën publike është rritur me rreth 20 mijë persona gjatë dekadës së fundit, duke shkuar në 184 mijë. Pavarësisht kësaj, bizneset vazhdojnë të mbeten pa zgjidhje konkrete për problemet që i pengojnë në përditshmërinë e tyre.

Na ndiqni në YouTubeVideo, intervista dhe transmetime nga PUBLIK TV Abonohu

Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.

Denonco
DENONCO

Zëri yt bëhet lajm.

Bëhu pjesë aktive e Publik.al. Raporto çdo padrejtësi, korrupsion apo ngjarje, me foto dhe video. Identiteti yt mbrohet nga redaksia.