Barcelona po shqyrton mundësinë për të afruar një sulmues me kosto të përballueshme, dhe në listën e kandidatëve është përfshirë edhe Vedat Muriqi.
Sipas raportimeve të medias spanjolle “Sport”, klubi katalanas vijon të ketë si objektiva kryesorë emra të mëdhenj si Victor Osimhen dhe Julián Álvarez, por paralelisht po analizon alternativa më ekonomike që ofrojnë profil të ndryshëm në repartin ofensiv.
Vedat Muriqi shihet si një opsion interesant për shkak të forcës fizike, lojës së mirë në ajër dhe aftësisë për të finalizuar në zonë. Sulmuesi 31-vjeçar po kalon një nga sezonet më të mira të karrierës së tij dhe madje është në garë për “Këpucën e Artë” përkrah emrave të mëdhenj si Kylian Mbappé.
Edhe pse klauzola e lirimit të tij raportohet të jetë rreth 40 milionë euro, burimet sugjerojnë se një marrëveshje mund të arrihet për një shumë më të ulët. Në të njëjtën kohë, një tjetër alternativë për Barcelonën mbetet Alexandër Sørloth, duke e bërë garën për këtë rol edhe më të hapur.
Nëse ky transferim do të konkretizohej, do të përbënte një hap të madh në karrierën e Muriqit dhe një moment historik për futbollin shqiptar.
Shqiptari i fundit që ka qenë pjesë e Barcelonës është Rey Manaj, megjithatë ai nuk arriti të debutonte në një ndeshje zyrtare me ekipin e parë.







