E enjte, 15 tetor 2026 DENONCO ANONIM Denonco: +355 69 20 95 843
PUBLIK
E NËSE ZOTI???
Lajme

E NËSE ZOTI???

Ç’pezullimi i pezullimit, e bëri kryeministrin të ulej disa herë nëpër karrige të ndryshme, si për shembull tek ajo rrotulluesja e podkastit të tij, apo në atë statiken tek grupi parlamentar, e të na shpjegonte se çfarë nënkuptonte pezullimi.
Na shpjegoi me gërma dhe shenja se pezullimi nuk do të thotë pezullim personi, por funksioni. E se funksioni nuk ka lidhje me personin.
Se po u pezullua funksioni do të thotë të pezullohet puna për integrimin e Shqipërisë në Kanada, se kanadezët nuk pranojnë firmë tjetër veç atë të Belës.

Ky është fiks rasti kur firmat nuk janë firma, por vetëtima.
E zhytur në mjegulltirën e kësaj përhumbjeje mes pezullimit dhe çpezullimit, mes funksionit dhe personit, si rrufe në qiell të pastër, në trurin tim u lëshua një ide çnjerëzore të cilën vendosa ta hedh në letër në mënyrë që sado pak të pastroj shpirtin tim tinzar.
Po sikur pezullimin të mos e bëj SPAK-u, se këtë të fundit do ta ngrijë qeveria me ndihmën e Zeqinesë, Sarës dhe Irisit, po na del një autoritet më i fuqishëm, se nuk ma nxe ngoja ta them, domethënë, e kam fjalën për Zotin, dhe na pezullon me ngrirje siç vetëm Zoti di, Belën, ose Elisën, ose Beromin (se jemi dhe në agjërim) apo (larg qoftë, ptu ptu larg qoftë ky mendim gjakatar) dora vetë kryeministrin, çfarë ndodh me ne?
Nuk ka nevojë për asnjë shpjegim se fundi dihet. Ne si popull vdesim bashkë me të pezulluarin.
Ne jemi njëjtë si skllevërit shërbyes, të cilët në kohët e lashta varroseshin të gjallë bashkë me pronarin e tyre, për t’i shërbyer edhe në jetën e përtejme, edhe ne do shkojmë pas pronarit tonë.
Thonë se Zoti merr të mirët, e këta qeveritarët tanë bashkë me Berom top sheqerin e kryeministrin në krye, duke qenë se janë në rrugën e të mirës, bën vaki dhe i merr.

Prandaj në këto kushte kur jemi duke u mbytur me mirësitë e tyre duhet të fillojmë të mendojmë të keqen që mund të na shkaktojë Zoti.
Unë mendoj t’i drejtohemi Gjykatës Kushtetuese si popull, dhe ti kërkojmë që të përcaktojë saktë dhe pastër a ka të drejtë Zoti të pezullojë ministrat, kryeministrin, presidentin, avokatin e popullit (po u pezullua ky, populli ynë ngelet pa mbrojtje, pezullimi i këtij është fundi fare fare, është dita e qametit).

Duhet me patjetër të bëjmë një kërkesë, një peticion dhe të ndalojmë Zotin që të fusë duart në punët e brendshme të PS-së. Duhet t’ia bëjmë të qartë atij se pezullimin e vendos vetëm kryeministri dhe askush tjetër, nuk do vi Zoti që nga lart e të vendosë se kë do marr për në botën tjetër pa pyetur kryemistrin.
Mjaft është mjaft!
A jo, deri këtu nuk lejojmë. Vërtetë që ne jemi shtet laik, e tek ne fetë bashkëjetojnë në paqe, ama Zoti nuk duhet të përfitojë nga kjo dhe të marr ministrat apo kryeministrin pa pyetur.
Që të pezullojë dikë nga ata që paralizojnë Shqipërinë, i duhet marrë leje kryeminstrit.
Ja kështu, u zgjidh edhe kjo punë. Ndalohet me ligj pezullimi nga cilado anë që të vijë ai.
Unë mendoj që ta heqim fare nga fjalori fjalën pezullim, se vetëm kështu do jemi të qetë se askush nuk na i prek dot zotat tanë në Olimpin e korrupsionit.

Na ndiqni në YouTubeVideo, intervista dhe transmetime nga PUBLIK TV Abonohu

Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.

Denonco
DENONCO

Zëri yt bëhet lajm.

Bëhu pjesë aktive e Publik.al. Raporto çdo padrejtësi, korrupsion apo ngjarje, me foto dhe video. Identiteti yt mbrohet nga redaksia.