Të paktën tetë persona janë plagosur, përfshirë një të moshuar 88-vjeçar që është mbijetues i Holokaustit, pas një sulmi të dhunshëm në një aktivitet paqësor në Boulder të Kolorados. Ngjarja ndodhi të dielën në orën 13:26 me orën lokale, gjatë një marshimi të quajtur Run for Their Lives, i cili synon të rrisë ndërgjegjësimin për pengjet izraelite në Gaza.
Sipas policisë, agresori– Mohamed Sabry Soliman, një 45-vjeçar me shtetësi egjiptiane – përdori një “flakëhedhës të improvizuar” dhe koktej molotovi për të sulmuar turmën. Ai dyshohet se bërtiti “Palestina e lirë” gjatë sulmit. Autoritetet federale po e hetojnë ngjarjen si një akt terrorizmi të qëllimshëm dhe të motivuar ideologjikisht.
Tetë të plagosurit – katër burra dhe katër gra, të moshës 52 deri 88 vjeç – janë dërguar në spitalet e zonës me djegie dhe plagë të tjera, dhe të paktën një prej tyre ndodhet në gjendje kritike. Midis të plagosurve është edhe një rabin hebre, drejtor i Chabad në Universitetin e Kolorados, i cili konfirmoi se njëri prej të lënduarve është mbijetues i Holokaustit dhe e përshkroi si “një njeri shumë të dashur”.
Autoritetet lokale dhe FBI-ja thonë se nuk ka prova që Soliman kishte bashkëpunëtorë dhe janë “shumë të sigurt” se ai ka vepruar i vetëm. Sulmi ka ndodhur në prag të festës hebraike Shavuot, duke shtuar shqetësimet për sigurinë në komunitetet hebraike në SHBA.
Kryetari i bashkisë së Boulder, Aaron Brockett, tha se është “i tronditur dhe i zemëruar” nga sulmi dhe shtoi se qyteti i tij do të qëndrojë i bashkuar përballë urrejtjes. Ndërkohë, ADL (Liga Anti-Shpifje) e cilësoi ngjarjen si një sulm të rëndë ndaj komunitetit hebre dhe bëri thirrje për ndaljen e retorikës nxitëse të urrejtjes. FBI-ja ka nisur një operacion në El Paso County të Kolorados, në kuadër të hetimeve për këtë sulm, duke e trajtuar atë si një çështje të sigurisë kombëtare.
Policia e Boulder ka rritur masat e sigurisë për ngjarjet hebraike të planifikuara gjatë ditëve në vijim dhe u ka kërkuar qytetarëve të raportojnë çdo aktivitet të dyshimtë./BBC/