Ekstradimi i Ermal Beqirit, Ministria e Drejtësisë i dorëzon kërkesën Francës
Ministria e Drejtësisë ka nisur zyrtarisht procedurat për kthimin në Shqipëri të biznesmenit Ermal Beqiri, duke i drejtuar autoriteteve franceze kërkesën për ekstradim. Ky veprim lidhet me hetimet që po zhvillon Struktura e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK) për procedurat e prokurimeve në Agjencinë Kombëtare të Shoqërisë së Informacionit (AKSHI).
Sipas burimeve zyrtare, kërkesa është përgatitur dhe përcjellë në përputhje të plotë me kuadrin ligjor shqiptar, si dhe me marrëveshjet ndërkombëtare që rregullojnë bashkëpunimin juridik mes Shqipërisë dhe Francës. Dosja përmban të gjithë dokumentacionin e nevojshëm të dërguar nga organet hetimore, të përkthyer dhe të strukturuar sipas standardeve procedurale.
Procesi i mëtejshëm tashmë i takon autoriteteve franceze, të cilat do ta shqyrtojnë kërkesën bazuar në legjislacionin e tyre dhe në konventat ndërkombëtare në fuqi. Ndërkohë, Ministria e Drejtësisë në Shqipëri do të ndjekë nga afër çdo hap të procedurës, në koordinim të vazhdueshëm me institucionet homologe.
Ekstradimi është një proces i mirëpërcaktuar ligjërisht, që aktivizohet pasi autoritetet shqiptare informohen për vendndodhjen ose ndalimin e një personi jashtë vendit. Më pas, prokuroria përkatëse dorëzon kërkesën zyrtare pranë Ministrisë së Drejtësisë, e cila verifikon dokumentacionin, kryen përkthimet përkatëse dhe e përcjell dosjen në shtetin ku ndodhet personi i kërkuar. Në raste të caktuara, kërkohet edhe arrestim provizor për të shmangur largimin e tij.
Rasti i Ermal Beqirit konsiderohet një ndër çështjet më të ndjeshme në hetimet për tenderat e AKSHI-t, ku SPAK po verifikon ligjshmërinë e procedurave dhe përfshirjen e mundshme të personave përgjegjës.
Në njoftimin e saj, Ministria e Drejtësisë thekson se do të vijojë të ushtrojë të gjitha kompetencat ligjore për të garantuar ndjekjen korrekte të procedurës, duke bashkëpunuar ngushtë me autoritetet franceze deri në një vendimmarrje përfundimtare.
Procedura e ekstradimit mbështetet në legjislacionin shqiptar, përfshirë Kodin e Procedurës Penale dhe ligjin për marrëdhëniet juridiksionale me jashtë, si dhe në instrumentet ndërkombëtare si Konventa Evropiane për Ekstradimin. Kjo e fundit përcakton edhe afatet brenda të cilave duhet të paraqitet kërkesa formale, zakonisht deri në 40 ditë nga momenti i ndalimit provizor.
Autoritetet shqiptare synojnë që përmes kësaj procedure të sigurojnë kthimin e personave të kërkuar dhe vijimin normal të proceseve hetimore dhe gjyqësore në vend.
Njoftim i Ministrisë së Drejtësisë:
“Ministria e Drejtësisë bën me dije se, në përputhje me legjislacionin shqiptar, marrëveshjet ndërkombëtare dhe procedurat e bashkëpunimit juridik me Republikën Franceze, ka përcjellë sot pranë autoriteteve kompetente franceze kërkesën për ekstradimin e shtetasit E. B., të përcjellë nga organi procedues, së bashku me dokumentacionin përkatës.
Vijimi i procedurës së ekstradimit do të zhvillohet në përputhje me legjislacionin e Republikës Franceze dhe instrumentet ndërkombëtare në fuqi.
Ministria e Drejtësisë do të vijojë të ushtrojë kompetencat e saj në këtë procedurë, në përputhje me ligjin dhe në bashkëpunim me autoritetet kompetente të të dy vendeve.
Informacion mbi procedurat e ekstradimit
* Ministria e Drejtësisë njoftohet nga autoritetet kompetente për lokalizimin ose arrestimin e një personi në një shtet të huaj, si edhe për afatin brenda të cilit duhet të paraqitet kërkesa formale për ekstradim.
* Prokuroria kompetente paraqet pranë Ministrisë së Drejtësisë kërkesën për ekstradim, të shoqëruar me dokumentacionin përkatës procedural.
* Drejtoria përgjegjëse në Ministrinë e Drejtësisë verifikon dokumentacionin dhe ndërmerr veprimet për përkthimin e tij në gjuhën e shtetit të kërkuar ose në gjuhën e përcaktuar nga instrumentet ndërkombëtare.
* Pas përfundimit të përgatitjes së dosjes, Ministri i Drejtësisë nënshkruan kërkesën për arrestim provizor (kur është e nevojshme) dhe/ose ekstradim.
* Kërkesa dhe dokumentacioni u përcillen autoriteteve të shtetit të kërkuar në rrugë diplomatike, sipas procedurave ndërkombëtare.
* Për të përshpejtuar procedurën, dokumentacioni mund të transmetohet paralelisht edhe në rrugë elektronike ndërmjet autoriteteve kompetente.
* Kërkesa për ekstradim mbështetet në kërkesën e prokurorisë kompetente dhe në legjislacionin shqiptar, përfshirë Kodin e Procedurës Penale, ligjin për juridiksionin në marrëdhëniet me autoritetet e huaja dhe instrumentet ndërkombëtare të zbatueshme.
* Afati për paraqitjen e kërkesës formale dhe dokumentacionit përcaktohet nga konventat ndërkombëtare, veçanërisht nga Konventa Evropiane për Ekstradimin, e cila parashikon afatet përkatëse (40 ditë sipas nenit 24 të Konventës për Ekstradimet) pas arrestimit ose ndalimit provizor.
* Ministria e Drejtësisë siguron që kërkesa të dërgohet brenda afateve ligjore dhe ndjek në vijim komunikimin me autoritetet e shtetit të kërkuar deri në përfundimin e procedurës së ekstradimit”.
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



