Gazetari Klodian Tomorri ka publikuar një reagim ku vlerëson qëndrimin e Elisa Spiropali në raport me presionet politike dhe institucionale. Sipas tij, përballja me një sistem të tillë kërkon forcë dhe dinjitet, pavarësisht motiveve apo kohës kur ndodh.
Statusi i plotë:
Klodian Tomorri
Është shumë e lehtë të gjesh mëkate tek kushdo, veçanërisht në Shqipëri. Për më tepër akoma, tek një politikan që ka mbajtur funksione të larta publike.
Por Elisa Spiropali po rezulton një nga njerëzit me më shumë dinjitet brenda Partisë Socialiste.
Nuk është e lehtë të qëndrosh përballë sistemit që është ngritur këtu. Të shantazhojnë, të kërcënojnë, të përgjojnë, të denigrojnë.
Shikoni çfarë po i bëjnë. Herë i vërsulin tatimet, herë e nxijnë në media. Nuk është çudi që t’i lëshojnë dhe prokurorinë apo SPAK-un. Të asfiksojnë.
Ndaj kushdo që nuk e ul kokën dhe qëndron përballë kësaj meriton respekt të madh. Sepse nuk është e lehtë kjo. Nuk është e lehtë, hiç.
Dhe nuk ka rëndësi fare arsyeja. Kjo mund të jetë punë intrigash, qejfmbetjesh, xhelozish pushteti. Nuk ka rëndësi as fakti që pse jo dje kur ishe në karrige, por sot që të hoqën.
Çdo gjë, edhe kauzat më të mëdha publike, nisin gjithmonë nga interesa personale. Kjo është natyra e njeriut; e ka thënë Adam Smith para 300 vjetësh.
Vetëm fakti që dikush qëndron përballë këtij sistemi është një shërbim i madh publik, pavarësisht motiveve dhe pavarësisht kohës.







