E martë, 20 tetor 2026 DENONCO ANONIM Denonco: +355 69 20 95 843
PUBLIK
Emiriana Sako i jep 6.2 mln euro kompanisë nën sekuestro nga SPAK
Lajme

Emiriana Sako i jep 6.2 mln euro kompanisë nën sekuestro nga SPAK

Partia Demokratike ka akuzuar Bashkinë e Durrësit për një tjetër aferë korruptive që lidhet me menaxhimin e mbetjeve urbane, duke pretenduar se tenderët publikë po përfundojnë në duart e një kompanie që ndodhet nën sekuestro nga SPAK.

Zëdhënësja e Antikorrupsionit në PD, Genta Vangjeli, deklaroi se “depozitimi i mbetjeve urbane në Durrës është kthyer në një histori të re korrupsioni, me kontrata pa transparencë dhe me fitues të paracaktuar”.

Sipas PD-së, më 8 tetor 2021, Bashkia Durrës ka nënshkruar një kontratë me negocim pa shpallje me kompaninë Integrated Energy BV SPV, me vlerë rreth 13.5 milionë euro për katër vjet, për depozitimin e rreth 320 mijë ton mbetjesh.

Pas hetimeve të SPAK mbi aferën e inceneratorëve, kjo kompani ndodhet nën sekuestro preventive, por pavarësisht kësaj, më 14 tetor 2025, Bashkia Durrës ka shpallur sërish fituese të njëjtën kompani këtë herë për një tender trevjeçar me vlerë 7.4 milionë euro me TVSH, sërish me negocim pa shpallje paraprake.

PD ngre disa pikëpyetje serioze mbi këtë procedurë, duke theksuar:

  • Mungesën e transparencës mbi sasinë e mbetjeve dhe specifikimet teknike;

  • Përdorimin abuziv të procedurës me negocim pa shpallje, e cila lejohet vetëm në raste të veçanta sipas nenit 47 të Ligjit për Prokurimet Publike;

  • Mospërputhje financiare midis kontratës së vitit 2021 dhe asaj të vitit 2025, pa asnjë sqarim për ndryshimin e vlerave.

“Edhe më shqetësues është fakti se incenerimi i mbetjeve nuk kryhet, pasi inceneratori nuk ekziston,”  theksoi Vangjeli, duke shtuar se kjo është një tjetër provë e mënyrës se si “qeverisja e Edi Ramës dhe bashkitë e drejtuara prej tij shpërdorojnë fondet publike në favor të interesave klienteliste”.

Partia Demokratike i ka kërkuar SPAK-ut të nisë menjëherë hetimet për këto kontrata, të cilat  sipas një raporti të Kontrollit të Lartë të Shtetit  nuk garantojnë qëndrueshmëri financiare dhe rrezikojnë buxhetin publik të qytetit të Durrësit.

Deklarata e zëdhënëses së Antikorrupsionit në PD, Genta Vangjeli:

Depozitimi i mbetjeve urbane në Durrës është kthyer në një tjetër histori të dyshuar korruptive, me kontrata pa transparencë dhe me miliona euro që përfundojnë në llogaritë e një kompanie që ndodhet nën sekuestro për shkak të hetimeve nga SPAK.

Më 8 tetor 2021, Bashkia Durrës ka lidhur një kontratë me negocim pa shpallje me kompaninë Integrated Energy BV SPV, me vlerë rreth 13.5 milionë euro për një afat katërvjeçar, për sasinë e pritshme prej 320 mijë ton mbetjesh.

Pas skandalit me inceneratorin inekzistent dhe kallëzimit penal të bërë nga opozita, SPAK nisi hetimet për kompaninë Integrated Energy BV SPV, e cila aktualisht ndodhet nën masën e sekuestros preventive.

Pavarësisht kësaj situate, më 14 tetor 2025, Bashkia Durrës ka shpallur sërish fituese të njëjtën kompani, për një tjetër procedurë prokurimi-sërish me negocim pa shpallje paraprake të njoftimit të kontratës- me objekt ‘Depozitimi i mbetjeve urbane, Bashkia Durrës’, me një fond limit prej 6.2 milionë euro për një afat 3-vjeçar. Vlera fituese ka qenë 100% e fondit limit, ose rreth 7.4 milionë euro me tvsh.

Ky tender ngre disa pikëpyetje serioze:

Mungesë transparence-nuk ka asnjë informacion mbi sasinë e pritshme të mbetjeve apo specifikimet teknike të shërbimit.

Dyshime për abuzim me procedurat e prokurimit-përdorimi i procedurës me negocim pa shpallje paraprake nuk justifikohet ligjërisht.

Sipas nenit 47 të Ligjit për Prokurimin Publik, kjo procedurë lejohet vetëm në raste të veçanta, si mungesë ofertash të vlefshme, arsye teknike të pamundësisë së konkurrencës, apo nevoja ekstreme të paparashikueshme-asnjë nga këto kushte nuk është i zbatueshëm në rastin konkret.

Mospërputhje financiare-në kontratën e vitit 2021, vlera ishte rreth 2.8 milionë euro në vit, ndërsa në tenderin e vitit 2025 shkon në rreth 2 milionë euro në vit. Nuk ka asnjë sqarim nëse kjo diferencë lidhet me uljen e sasisë së mbetjeve apo me arsye të tjera.

Partia Demokratike i kërkon SPAK-ut të hetojë me urgjencë këto kontrata, të cilat-sipas Kontrollit të Lartë të Shtetit – nuk garantojnë qëndrueshmëri financiare, pasi të ardhurat e krijuara nuk mbulojnë shpenzimet e shërbimit.

Edhe më shqetësues është fakti se incenerimi i mbetjeve nuk kryhet, pasi inceneratori nuk ekziston.

Kjo është një tjetër provë se si qeverisja e Edi Ramës dhe bashkitë nën drejtimin e tij vijojnë të shpërdorojnë fondet publike në shërbim të aferave korruptive, në kurriz të qytetarëve.

Na ndiqni në YouTubeVideo, intervista dhe transmetime nga PUBLIK TV Abonohu

Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.

Denonco
DENONCO

Zëri yt bëhet lajm.

Bëhu pjesë aktive e Publik.al. Raporto çdo padrejtësi, korrupsion apo ngjarje, me foto dhe video. Identiteti yt mbrohet nga redaksia.