EMRI/ Zhduket 40-vjeçari, mesazhet e dyshimta me të vëllain në Francë
Një 40-vjeçar nga Skrapar, i identifikuar si Ilir Kurti, rezulton i zhdukur prej rreth 24 orësh, duke shkaktuar shqetësim të madh te familjarët dhe të afërmit e tij.
Sipas të dhënave paraprake, ai ka humbur kontaktet që prej mëngjesit të një dite më parë. Telefonatat dhe përpjekjet për ta kontaktuar kanë qenë të pasuksesshme, çka ka shtuar dyshimet dhe frikën e familjes.
Alarmi është rritur pas një mesazhi me përmbajtje shqetësuese që 40-vjeçari i kishte dërguar të vëllait në Francë. Pas kësaj, familjarë dhe miq kanë nisur kërkimet në zonë.
Mbrëmjen e 19 shkurtit, shokët e tij kanë gjetur motorin pranë kanioneve të lumit Osum, në vendin e njohur si Ura e Blezënkës. Pranë motomjetit janë konstatuar edhe disa sende personale, mes tyre një cigare dhe një shishe verë, të konsumuar pjesërisht.
Paraprakisht dyshohet se 40-vjeçari mund të jetë hedhur në lumë, por rrethanat mbeten ende të paqarta.
Policia bën me dije se familjarët kanë kallëzuar largimin e tij nga banesa dhe menjëherë janë nisur kërkimet në terren. Shërbimet policore po vijojnë kontrollet në zonë, ndërsa paralelisht po hetohet për të dokumentuar plotësisht ngjarjen.
Familja kërkon ndihmën e autoriteteve dhe u bën apel qytetarëve që mund të kenë informacion për vendndodhjen e Ilir Kurtit të njoftojnë menjëherë Policinë.
Ilir Kurti është i divorcuar dhe baba i një fëmije. Ai jetonte me nënën e tij në Skrapar.
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



