E diel, 29 nëntor 2026 DENONCO ANONIM Denonco: +355 69 20 95 843
PUBLIK PUBLIK
Officer who shot Kliti Hoti suspended; had no order to fire rubber bullets
PUBLIK · English

Officer who shot Kliti Hoti suspended; had no order to fire rubber bullets

This article was translated automatically from the Albanian original. 🇦🇱 Lexo në shqip

Punonjësi i Policisë që qëlloi me plumb gome deputetin e Partisë Demokratike, Kliti Hoti, gjatë protestës së 29 nëntorit në Tiranë, është pezulluar nga detyra. Vendimi është marrë nga Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, ndërsa efektivi, i identifikuar me inicialet E.A., do të përballet edhe me një hetim disiplinor të Drejtorisë së Standardeve Profesionale. Në reagimin zyrtar, Policia bën një deklaratë me rëndësi për zbardhjen e ngjarjes: efektivi nuk kishte marrë urdhër për të përdorur plumba gome gjatë ndërhyrjes. Hetimi disiplinor do të mbështetet te pamjet filmike dhe provat që lidhen me veprimet individuale të punonjësit, për të përcaktuar përgjegjësinë e tij në incidentin që përfundoi me plagosjen e deputetit. Paralelisht, Agjencia e Mbikëqyrjes Policore, në bashkëpunim me Prokurorinë, ka nisur veprimet hetimore për të zbardhur plotësisht rrethanat e ngjarjes. Në deklaratën e saj, Policia e Shtetit dënon dhunën gjatë protestave, por nënvizon se asnjë sulm apo provokim ndaj efektivëve nuk mund të shërbejë si justifikim për tejkalimin e kompetencave ligjore nga ana e tyre. Institucioni u ka bërë thirrje qytetarëve të distancohen nga personat e maskuar dhe ata që përfshihen në akte dhune, duke theksuar se çdo rast i dyshuar i përdorimit të tepruar të forcës nga punonjësit e policisë do të trajtohet me transparencë dhe përgjegjshmëri. Ngjarja ka shkaktuar reagime të forta politike, pasi deputeti Kliti Hoti mbeti i plagosur gjatë përplasjes mes protestuesve dhe policisë. Kryetari i PD-së, Sali Berisha, pas vizitës në Spitalin e Traumës, akuzoi kryeministrin Edi Rama se kishte dhënë urdhër për goditjen e deputeti. Deklarata e plotë: Policia e Shtetit dënon me forcë çdo akt dhune dhe mbetet e vendosur në përmbushjen e misionit të saj për garantimin e rendit dhe sigurisë publike, mbrojtjen e qytetarëve dhe respektimin e së drejtës kushtetuese për të protestuar. Në lidhje me ngjarjet e 24 orëve të fundit, Policia e Shtetit thekson se asnjë akt dhune nuk mund të justifikohet me ushtrimin e së drejtës për të protestuar, sikundër asnjë akt dhune apo provokimi nuk mund të përligjë tejkalimin e kompetencave ligjore nga punonjësit e Policisë gjatë ushtrimit të detyrës. Në lidhje me këtë të fundit, pas rastit të ndodhur gjatë ditës së sotme, ku një deputet është goditur nga një punonjës i Policisë, Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit ka urdhëruar pezullimin e menjëhershëm nga detyra të punonjësit të Policisë, inspektor E.A. Ndaj tij, Drejtoria e Standardeve Profesionale në Policinë e Shtetit ka nisur hetimin disiplinor, bazuar në pamjet filmike dhe faktet lidhur me veprimet individuale të tij, pasi punonjësi nuk kishte marrë urdhër për të qëlluar me plumba gome. Ndërkohë, në lidhje me të njëjtin rast, Agjencia e Mbikëqyrjes Policore, në bashkëpunim me Prokurorinë, ka nisur menjëherë veprimet hetimore. Policia e Shtetit u bën thirrje qytetarëve që të distancohen nga personat e maskuar dhe të dhunshëm dhe të ushtrojnë të drejtën e tyre për të protestuar në mënyrë paqësore, pasi Policia e Shtetit është e vendosur të zbatojë parimin e tolerancës zero ndaj çdo shkeljeje të ligjit, pavarësisht se nga kush kryhet. Çdo akt dhune dhe çdo rast i dyshuar i tejkalimit të kompetencave duhet të trajtohet me objektivitet, transparencë dhe përgjegjshmëri institucionale, në përputhje të plotë me ligjin.

DENONCO

Zëri yt bëhet lajm.

Bëhu pjesë aktive e Publik.al. Raporto çdo padrejtësi, korrupsion apo ngjarje, me foto dhe video. Identiteti yt mbrohet nga redaksia.