Erjola Doçi, fytyra e re e ministres “Diella”?
Zbulohet ‘oferta’ e bujshme nga Kryeministria
Aktorët e njohur të spektaklit të humorit “Portokalli”, Albana Perhati, Kejdi Gishto, Juxhin Plovishti dhe Erdit Asllanaj, ishin së fundmi të ftuar në emisionin “Ndryshe”, ku folën për sezonin e ri të programit dhe sollën shumë të qeshura përmes rubrikës së njohur “Telefonata Kurth”.
Këtë herë, “viktima” e telefonatës ishte moderatorja Erjola Doçi. Aktorja Albana Perhati, duke u shtirur si një zyrtare nga Kryeministria, i propozoi Erjolës të bëhej imazhi i ministres së përfytyruar “Diella”, një figurë e krijuar me inteligjencë artificiale.
“Jam shumë entuziaste që të jesh ti imazhi i ministres Diella”, i tha Albana, duke shtuar me humor se kryeministri kërkonte “një risi, nga veriu”.
E habitur nga propozimi, Erjola reagoi me emocione dhe deklaroi se do ta pranonte vetëm nëse oferta do të vinte drejtpërdrejt nga vetë kryeministri.
Pikërisht në atë moment, në skenë u shfaq Kejdi Gishto me imitimin e tij të famshëm të Edi Ramës, duke e kthyer situatën në një skenë komike që shkaktoi të qeshura në studio. E pranishme ishte edhe Rike Roçi, e cila kuptoi menjëherë se nuk bëhej fjalë për zërin e vërtetë të kryeministrit.
Telefonata u mbyll mes të qeshurave dhe atmosferës pozitive, duke sjellë një tjetër moment të suksesshëm nga “Portokalli” që po fiton gjithnjë e më shumë simpatinë e publikut në sezonin e ri.
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



