Parlamenti Europian zhvilloi sot një seancë për zgjedhjet e 11 Majit në Shqipëri.
Kreu i vëzhguesve të Parlamentit Europian në zgjedhjet e 11 Majit, eurodeputeti gjerman Michael Gahler bëri prezantimin e gjetjeve të këtij misioni vëzhgues në Komisionin e Punëve të Jashtme të Parlamentit Europian.
Por në fund të diskutimeve, Gahler bëri një deklaratë të fortë ku tha se strukturat kriminale në Shqipëri nuk e duan ndryshimin e pushtetit.
Elbasani u përmend si shembulli më i qartë i lidhjes mes krimit dhe devijimit të votës.
“Diçka tjetër që nuk është e lidhur direkt me zgjedhjet, por që ne nuk mund të bëjmë një sy qorr për këtë, është sigurisht fakti që në këtë vend- dhe kjo është e rëndësishme për integrimin në Europë- ka struktura të qëndrueshme kriminale në vazhdim, që në një shkallë të madhe janë të angazhuara me pastrimin e parave, po të shohësh edhe ndërtimet që janë aty dhe gjithçka.
Ata kanë interes që të ruajnë këto struktura siç janë, në mënyrë që të jenë në gjendje të vazhdojnë këtë aktivitet.
Mendoj se kjo është diçka e rëndësishme për BE-në, ne nuk mund të lejojmë këto struktura të pastrimit të parave dhe të trafikut drogës të vazhdojnë të paprekura.
Siç e thashë, ndikimi indirekt tek zgjedhjet është se ata kanë interes të mbajnë situatën siç është, që t’i lejojë të vazhdojnë. Prandaj mendoj se kjo duhet adresuar qartësisht,” tha Gahler.
Më herët gjatë fjalës së tij, Gahler përmendi rastin e Elbasanit në lidhje me këto struktura.
“Për më shumë, mendoj se ajo që kemi vëzhguar dhe dëgjuar si vëzhgues afatshkurtër nga vëzhguesit afatgjatë, sidomos në Elbasan, ata flasin për disa struktura që janë përfshirë në devijimin e votave në një drejtim, por kjo shkon përtej mandatit të vëzhguesve të zgjedhjeve. Kjo gjë ka ndikim në situatën e përgjithshme dhe duhet adresuar.” tha Gahler.