Eurodeputetja kërkon heqjen e imunitetit të Belinda Ballukut
Çështja e imunitetit të Belinda Ballukut është ngritur në takimin e 22-të të Komitetit Parlamentar të Stabilizim-Asociimit Shqipëri-Bashkimi Evropian, që po zhvillohet në Tiranë.
Eurodeputetja Isabel Wiseler-Lima ka shprehur shqetësimin lidhur me mosheqjen e imunitetit të Ballukut, në një kohë kur çështja e saj është në fokus të hetimeve të SPAK-ut.
Gjatë diskutimit, Wiseler-Lima vlerësoi punën e Prokurorisë së Posaçme, duke e cilësuar SPAK-un si një prej institucioneve që gëzon nivel të lartë besimi te qytetarët shqiptarë. Ajo theksoi gjithashtu rëndësinë e rezultateve të reformës në drejtësi.
Megjithatë, eurodeputetja ngriti çështjen e garancive për pavarësinë e institucioneve të drejtësisë, duke iu referuar edhe rolit që ka Kuvendi në çështjet që lidhen me imunitetin parlamentar.
Sipas saj, procesi i reformës në drejtësi kërkon që pavarësia institucionale të garantohet në mënyrë të qëndrueshme. Në këtë kontekst, ajo vuri në dukje se kërkesat për heqjen e imunitetit trajtohen nga Parlamenti, ndërsa disa prej anëtarëve të strukturave të drejtësisë zgjidhen gjithashtu nga deputetët.
“SPAK-u është një nga institucionet të cilit shqiptarët i kanë më shumë besim dhe ka qenë i suksesshëm brenda reformës në drejtësi”, u shpreh Wiseler-Lima, duke shtuar se pavarësia institucionale nuk është diçka që garantohet menjëherë.
Eurodeputetja ngriti më pas edhe pyetjen nëse reforma në drejtësi do të vijojë të jetë e pakthyeshme. Për këtë, ajo tha se beson se përgjigjja është pozitive.
Deklaratat e saj u bënë në kuadër të diskutimeve mes deputetëve shqiptarë dhe eurodeputetëve gjatë takimit dyditor të Komitetit Parlamentar të Stabilizim-Asociimit Shqipëri-BE.
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



