Mbyllen qendrat e ndihmave, s’ka ushqim për banorët e uritur
Gaza është bërë më keq se ferri në Tokë, sipas presidentes së Komitetit Ndërkombëtar të Kryqit të Kuq (ICRC), Mirjana Spoljaric.
Duke folur në një intervistë për BBC-në nga selia e ICRC-së në Gjenevë, Spoljaric deklaron se njerëzimi po dështon. Shtetet nuk po bëjnë mjaftueshëm për të ndaluar luftën, për t’i dhënë fund vuajtjes së palestinezëve dhe për të liruar pengjet izraelite, shton ajo.
Sipas saj, palestinezëve u është mohuar dinjiteti njerëzor. E drejta ndërkombëtare humanitare po zbrazet nga përmbajtja.
Ajo thotë se ajo që po ndodh në Gaza i tejkalon çdo standard të pranueshëm ligjor, moral dhe njerëzor.
ICRC është një organizatë ndërkombëtare që vepron në zonat e luftës. Ajo ka mbi 300 punonjës në Gaza, shumica dërrmuese e të cilëve janë palestinezë.
Spitali kirurgjikal i ICRC-së në Rafah, në jug të Gazës, është objekti mjekësor më i afërt me zonën ku shumë palestinezë janë vrarë gjatë shpërndarjes kaotike të ndihmave në ditët e fundit, pranë vendeve të menaxhuara nga Fondacioni Humanitar i Gazës (GHF), mbështetur nga Izraeli dhe SHBA.
ICRC njofton se mëngjesin e djeshëm ekipet kirurgjikale në Rafah pranuan 184 pacientë, përfshirë 19 persona që kishin ndërruar jetë para se të mbërrinin dhe tetë të tjerë që vdiqën pak më vonë nga plagët. Kjo ishte shifra më e lartë e viktimave nga një incident i vetëm në këtë spital fushor, që kur u krijua pak më shumë se një vit më parë.
ICRC konsiderohet si kujdestari i Konventave të Gjenevës. Konventa e katërt, e miratuar pas Luftës së Dytë Botërore, synon të mbrojë civilët gjatë konflikteve të armatosura.
Rregullat e luftës, thotë Spoljaric, zbatohen për të gjitha palët.
Sulmet e Hamasit ndaj Izraelit më 7 tetor 2023 nuk janë justifikim për zhvillimet aktuale, deklaron ajo. Spoljaric shton se ICRC është thellësisht e shqetësuar për retorikën e “fitores me çdo kusht”, “luftës totale” dhe “çnjerëzimit”. /BCC