E martë, 20 tetor 2026 DENONCO ANONIM Denonco: +355 69 20 95 843
PUBLIK
Fituan gjyqin ndaj Arta Markut, rikthimi i dy prokurorëve te Krimet e Rënda ndan KLP-në
Lajme

Fituan gjyqin ndaj Arta Markut, rikthimi i dy prokurorëve te Krimet e Rënda ndan KLP-në

Me gjashtë vota pro dhe pesë kundër, Këshilli i Lartë i Prokurorisë riktheu te Krimet e Rënda dy prokurorët Besim Hajdarmataj dhe Olsian Çela.

Besim-Hajdarmataj-768x550

Këta të fundit u komanduan me një afat tremujor në prokuroritë e rretheve, ndërsa ky vendim erdhi si një “ndëshkim”, për shkak të kundërshtimit për të marrë dosjen “Shullazi”.

 

Gjatë mbledhjes së djeshme, për herë të parë anëtarët e KLPsë ndahen në votimin për kthimin e tyre në detyrë, në prokurorinë ku kanë qenë të emëruar. Me vendimin që mori, Këshilli rrëzoi vendimin e Kryeprokurores së përkohshme të Përgjithshme, Arta Marku.

Më herët, edhe Gjykata Administrative u kishte dhënë të drejtë dy prokurorëve, duke e konsideruar vendimin e Markut si të pa mbështetur në ligjin në fuqi. Ndërkohë, pro rikthimit votuan Arben Dollapaj, Kosta Beluri, Bujar Sheshi, Antoneta Sevdari, Gentian Osmani dhe Sandër Beci. Ndërsa kundër votuan drejtuesi Gent Ibrahimi, Alfred Balla, Besnik Cani, Tartar Bazaj dhe Nurihan Seiti.

MBLEDHJA

Gjatë mbledhjes, anëtarët e KLP-së diskutuan në lidhje me ligjshmërinë e vendimit dhe nëse kalimi i çështjes në Gjykatën Kushtetuese do të zgjidhte të gjitha rastet e ngjashme. Ndërkohë që prokurori Besnik Cani tha se raste të komandimeve janë të shumta, nga ana tjetër, prokurorja Antoneta Sevdari tha se rastet që duhet të merren në shqyrtim më parë janë ato të transferimeve pa pëlqim.

“Në Prokurorinë e Tiranës janë rreth 14 vende bosh. Do kemi procedura të ndryshme, duke u bazuar në legjislacionin përkatës. Rastet e transferimit pa pëlqim janë ato që duhet të marrim sa më shpejt në shqyrtim”, tha ajo. Por nga ana tjetër, prokurori Cani kundërshtoi duke thënë se nuk ka akt të shkruar në lidhje me pëlqimin ose jo të tyre.

“Nuk ka një akt që të ketë të shkruar pëlqimin me shkrim. Në vendimin e Çelës dhe Hajadarmatajt thuhet se meqenëse KLP-ja është krijuar, atëherë duhet që kjo e fundit të kryejë procedurat. Në këtë rast, ne po ekzekutojmë një vendim jo të formës së prerë. Jam kundër, se do të afektojë çdo caktim të përkohshëm”, përfundoi Cani.

Anëtarja tjetër që u shpreh kundër rikthimit të dy prokurorëve ishte edhe Nurihan Seiti. Kjo e fundit, përpos argumentit që çështja të lihej në dorën e gjykatës, u shqetësua edhe për mendimin e prokurores së përgjithshme.

“A është lajmëruar prokurorja e përgjithshme me shkrim për këtë gjë? Çfarë do të thoshte ajo? Ju lutem, lërjani gjykatës të vendosë. Këtu po flasim për vendime personale. I qëndroj njoftimit të Prokurorisë së Përgjithshme. Ata kanë kërkuar ekzekutim të menjëhershëm dhe gjykata e Shkallës së Parë e ka rrëzuar. Mos të merremi me këtë gjë”, argumentoi Seiti.

Ndërkohë, anëtari Tartar Bazaj tha se duhet t’i drejtoheshin Gjykatës Kushtetuese për rastin. “Nuk mund të ecim në rrugë selektive. KLPja duhet t’i drejtohet Gjykatës Kushtetuese”, pohoi ai.

 

Na ndiqni në YouTubeVideo, intervista dhe transmetime nga PUBLIK TV Abonohu

Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.

Denonco
DENONCO

Zëri yt bëhet lajm.

Bëhu pjesë aktive e Publik.al. Raporto çdo padrejtësi, korrupsion apo ngjarje, me foto dhe video. Identiteti yt mbrohet nga redaksia.