Florian Sulejmani konfirmohet kreu i Agjencisë së Mbikëqyrjes Policore
Florian Sulejmani është zgjedhur në krye të Agjencisë së Mbikëqyrjes Policore.
Gjatë këtyre ditëve pretendentët u testuan në intervistim ku ishin si vëzhgues edhe përfaqësues të ICITAP, përfaqësues i ambasadës amerikane, dhe të OPDAT.
Për drejtimin e Agjencisë Policore gara u zhvillua një garë e fortë pasi pararendësi Ardi Veliu dha dorëheqjen.
Në garë me Sulejmanin ishin Artur Beu, Indrit Hitaj, Durim Sota, Gentian Shehu, Hergis Jica, Xhavit Shala dhe Alma Katragjini nga sektori i hetimit të korrupsionit.
Ministri Balla ka deklaruar se niveli i kandidatëve që aplikuan ishte i lartë dhe me ata që u përzgjodhën në listën e 5 të parëve tha se do t’i ftojë në takim për të vlerësuar forma bashkëpunimi me Ministrinë dhe AMP-në.
Balla u shpreh se Florian Sulejmani ka një eksperiencë pune të gjatë 18 vjeçare dhe ka kaluar me sukses procesin e vlerësimit kalimtar, si dhe ka eksperiencë dhe njohuri të gjera mbi procesin e vetting-ut të Policisë.
Fjala e ministrit të Brendshëm Taulant Balla në ceremoninë e prezantimit të drejtorit të ri të Përgjithshëm të AMP, Florian Sulejmani:
Jemi këtu sot për të prezantuar Drejtorin e ri të Agjencisë së Mbikëqyrjes Policore, por më lejoni së pari të shpreh një falënderim dhe vlerësim të sinqertë për punën e deritanishme të Agjencisë nën drejtimin e zotit Rrumbullaku, të zotit Veliu dhe në këto pak javë edhe nga Dritani (Dorda). E vlerësoj maksimalisht punën e deritanishme së bashku me ju, ndërsa Agjencia e Mbikëqyrjes Policore ka referuar pranë SPAK dhe Prokurorive të Juridiksionit të Përgjithshëm mbi 200 raste për rreth 300 subjekte, ndër ta gati 260 oficerë policie, me masa që variojnë nga arrest në burg deri tek pezullimi nga detyra.
Besoj pas 130 ditëve së bashku më keni dhënë të drejtë për çfarë i thashë drejtuesve të Policisë së Shtetit, ditën e parë në detyrë. Një rrënjë kanabisi e ka një shans të rritet, pa një polic që paguhet për të mos e parë apo se një parcelë kanabisi e ka një mundësi të vetme të korret, pa një shef komisariati që paguhet nga trafikantët për të mos e shkulur. Sa nga këta 260 punonjës policie keni arrestuar apo proceduar si të përfshirë apo mos-veprim ndaj kultivimit të lëndëve narkotike. Nuk i vë në diskutim këtu rezultatet e agjencisë, të kuptohemi qartë. Në këto 4 muaj e pak së bashku kam vlerësuar rritjen dita ditës së forcës goditëse.
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



