E enjte, 15 tetor 2026 DENONCO ANONIM Denonco: +355 69 20 95 843
PUBLIK
Fluks rekord në kulmin e sezonit turistik, Skënder Hita zbarkon në Rinas
Lajme

Fluks rekord në kulmin e sezonit turistik, Skënder Hita zbarkon në Rinas

Në kulmin e sezonit turistik, kur Aeroporti Ndërkombëtar “Nënë Tereza” po përballet me një nga periudhat më intensive të hyrje-daljeve, drejtuesit kryesorë të Policisë së Shtetit dhe Doganave kanë zbritur në terren për të parë nga afër menaxhimin e situatës.

Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Skënder Hita, së bashku me Drejtorin e Përgjithshëm të Doganave, Besmir Beja, zhvilluan një inspektim të përbashkët në Rinas, me fokus verifikimin e masave të ndërmarra për përballimin e fluksit të lartë të pasagjerëve.

Sipas të dhënave zyrtare, në këtë pikë kufitare po përpunohen çdo ditë nga 50 mijë deri në 56 mijë udhëtarë. Strukturat e Policisë Kufitare dhe Doganës janë angazhuar për të garantuar jo vetëm lëvizje të shpejtë, por edhe standarde të larta sigurie.

Gjatë inspektimit, Hita nënvizoi se përballimi i këtij fluksi po bëhet i mundur falë masave organizative dhe përmirësimeve teknike të ndërmarra në kohë.

“Gjatë sezonit turistik, të gjitha shërbimet e Policisë Kufitare kanë kaluar në regjim shërbimi 12-orësh, duke rritur me rreth 20% praninë e punonjësve në aeroportin ndërkombëtar të Rinasit”, u shpreh ai.

Një nga ndryshimet më të rëndësishme, sipas tij, është zgjerimi i përdorimit të sistemit automatik të kontrollit kufitar, i cili ka ndikuar drejtpërdrejt në uljen e kohës së pritjes.

“Është ulur nga 16 në 12 vjeç mosha minimale e përdoruesve të sistemit të kontrollit automatik e-Gate, duke rritur ndjeshëm numrin e pasagjerëve që përpunohen në mënyrë automatike dhe duke shkurtuar kohën e pritjes”, tha Hita.

Ai bëri të ditur gjithashtu se janë ndërmarrë hapa konkretë për modernizimin e infrastrukturës teknologjike në pikën kufitare. Përditësimi i sistemit TIMS dhe zëvendësimi i pajisjeve të kontrollit synojnë rritjen e shpejtësisë dhe cilësisë së shërbimit për qytetarët dhe turistët.

Në të njëjtën kohë, drejtuesi i Policisë së Shtetit theksoi se, përveç menaxhimit të fluksit, një prioritet i pandryshuar mbetet lufta ndaj krimit ndërkufitar.

“Policia Kufitare është angazhuar maksimalisht për të garantuar përpunim të shpejtë dhe të sigurt të pasagjerëve, ndërsa paralelisht vijojnë kontrollet e bazuara në analizën e riskut për goditjen e çdo aktiviteti kriminal”, vijoi ai.

Sipas tij, bashkëpunimi i ngushtë me Drejtorinë e Përgjithshme të Doganave ka sjellë rezultate konkrete në luftën kundër trafikut të lëndëve narkotike, kontrabandës dhe migracionit të paligjshëm.

“Bashkëpunimi me Drejtorinë e Përgjithshme të Doganave ka sjellë rezultate konkrete në goditjen e trafikut të lëndëve narkotike, kontrabandës dhe migracionit të paligjshëm, duke garantuar një nivel të lartë sigurie në Pikën e Kalimit Kufitar Rinas”, deklaroi ai.

Në përmbyllje, Hita garantoi se Policia e Shtetit do të vijojë të jetë plotësisht në shërbim të qytetarëve dhe turistëve gjatë gjithë sezonit veror.

“Policia e Shtetit mbetet plotësisht e përkushtuar për t’i ofruar çdo qytetari dhe turisti siguri, ndihmë dhe shërbim cilësor gjatë hyrjes dhe daljes nga territori i Republikës së Shqipërisë”, përfundoi ai.

Na ndiqni në YouTubeVideo, intervista dhe transmetime nga PUBLIK TV Abonohu

Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.

Denonco
DENONCO

Zëri yt bëhet lajm.

Bëhu pjesë aktive e Publik.al. Raporto çdo padrejtësi, korrupsion apo ngjarje, me foto dhe video. Identiteti yt mbrohet nga redaksia.