Forcimi i lekut e uli inflacionin, por çmimet u rritën

Banka e Shqipërisë ka vendosur të qëndrojë e qetë përballë rritjes së inflacionit, e cila arriti në 4.7% gjatë muajit maj, duke mbajtur normat bazë të interesit për lekun në nivelin 3%. Përkundër presioneve të brendshme, përfshirë rritjen e çmimeve të ushqimeve deri në 20% dhe rritjen e pagave, Banka e Shqipërisë ka zgjedhur të mos ndërmarrë hapa shtesë në këtë fazë.

Megjithatë, guvernatori Sejko nuk përjashtoi mundësinë e ndërhyrjeve të mëtejshme. “Tensionet e brëndshme inflacioniste mbeten të larta dhe përmbushja e objektivit tonë të stabilitetit të çmimeve mund të kërkojë një normalizim të mëtejshëm të qëndrimit të politikës monetare”, tha ai.

Në raportin e saj të fundit, Banka e Shqipërisë ka theksuar se rritja ekonomike e vendit ka qenë 2.7% gjatë tremujorit të parë, një shifër më e ulët krahasuar me vitin e kaluar. Sektoret më të prekura janë ndërtimi, industria dhe konsumi familjar.

Sejko ka komentuar edhe situatën ekonomike globale, duke theksuar se inflacioni po shkakton recesion në Eurozonë. Ai gjithashtu ka bërë të ditur se Banka e Shqipërisë nuk do të ndërhyjë për të rritur nivelin e euros, pavarësisht efektit negativ në eksportet.

“Forcimi i lekut kundrejt valutave ka ndihmuar në uljen e inflacionit, duke amortizuar kostot e mallrave të importit”, tha Sejko. “Ne ndërhyjmë në kursin e këmbimit vetëm kur kemi çrregullime të shkaktuara nga faktorë psikologjikë ose spekulativë.” Ai shtoi se Banka e Shqipërisë ka blerë 120 milionë euro gjatë 6 mujorit të parë dhe do të vazhdojë me ankandet.

Publikuar nga Publik Media